Etiopia nuk do të marrë pjesë në bisedimet për projektin e diskutueshëm të hidrocentralit prej 5 miliardë dollarësh që zhvillohet në Washington këtë fundjavë, bëri të ditur sot Ministria e Ujit, Ujitjes dhe Energjisë (AA).
Bisedimet trepalëshe të sponsorizuara nga SHBA-të midis Etiopisë, Egjiptit dhe Sudanit kërkojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet mbi Digën e Madhe të Rilindjes Etiopiane (GERD) që po ndërtohet në Nilin e Kaltër, degë e lumit Nil.
Ministria etiopiane në një deklaratë tha se nuk do të marrë pjesë në takim sepse konsultimet me palët e interesuara në vend janë ende të paplota, njofton transmetuesi lokal Fana.
Egjipti kundërshton projektin për shkak të frikës se do të pengojë rrjedhën e Nilit, nga i cili varet rreth 90 për qind e furnizimit të tij me ujë.
Kajro thotë se diga do të shkurtojë “pjesën e saj tradicionale” prej 55 miliardë metër kub rrjedhje vjetore nga Nili i Kaltër ndërsa Etiopia qëndron në atë se projekti është i nevojshëm për zhvillimin kombëtar për të hequr miliona nga varfëria.
Washingtoni është nikoqir i takimit trepalësh që nga nëntori i kaluar ndërsa pas disa muaj bisedimesh midis dy vendeve nuk kanë arritur të bëjnë ndonjë përparim.
Ndërtimi i GERD-it është në 80 për qind tani dhe do të përfundojë deri në vitin 2023.
Diga hidroelektrike do të prodhojë 6.475 megavat për përdorimin e brendshëm dhe industrial të Etiopisë si dhe për eksport në vendet fqinje.