Epidemiologia e Institutit të Shëndetit Publik, Adela Vasili sqaroi sot se sëmundja “Ethet e Nilit” transmetohet vetëm nëpërmjet mushkonjave, jo nga njeriu te njeriu.
Në një komunikim me mediat, Vasili foli për shenjat kryesore të sëmundjes “Ethet e Nilit”, rasti i parë i së cilës u konstatua në qytetin e Korçës.
Vasili theksoi se nuk ka raste të tjera të konfirmuara apo të dyshuara me “Ethet e Nilit”, në Shqipëri.
Vasili sqaroi se sëmundja transmetohet nga mushkonjat e infektuara, ndërsa shtoi se “ka një program dezinfektimi që bën të mundur luftën kundër mushkonjave dhe kjo bën të mundur që rreziku të jetë më i vogël”.
Megjithatë epidemiologia i bëri apel qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të eliminojnë ujërat e ndenjura dhe gjithashtu fokusi të jetë tek dezinfektimi.
Sipas saj, “zonat me risk janë ato bregdetare”.
“Sëmundja transmetohet vetëm nëpërmjet mushkonjave, jo nga njeriu te njeriu. Nuk ka rrezikshmëri për vendin, prania e rasteve në Greqi e ‘Etheve të Nilit Perëndimor’”, shtoi ajo.
Duke folur për rastin e evidentuar në Korçë, Vasili tha se pacienti i është drejtuar sistemit shëndetësor shqiptar dhe duke parë që gjendja është rënduar, është shtruar në spital.
“Shenjat fillimisht është ajo si e një gripi të lehtë, ndërsa në raste pak me të ndryshme apo persona që e shfaqin klinikisht në mënyrën më të rëndë janë ata mbi moshën 60 vjeç, persona që kanë imunitet të ulët apo persona që mund të kenë bërë transplante apo ndërhyrje të rënda”, tha ajo.


