Seanca gjyqësore për dosjen “Partizani”, ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk u zhvillua siç ishte planifikuar ditën e sotme, 27 tetor, sepse u vendos shtyrja e saj për në datën 10 nëntor.
Raportohet se ishin planifikuar të kryheshin dy seanca në ngarkim të Berishës e dhëndrit të tij, Malltezi, e të pandehurve të tjerë, si dhe një seancë ku e bija e kryedemokratit, Argita Malltezit për heqjen e sekuestrimit së pasurive.
Arsyeja e shtyrjes së seancës së çështjes “Partizani”, ishte mungesa e avokatit Sokol Hazizaj, i cili përfaqëson të pandehurin Fatmir Bektashi si dhe kompanitë “Kontakt shpk” dhe “Home Plan shpk”.
Gjykata e pranoi kërkesën për shtyrje të paraqitur nga Hazizaj dhe vendosi që seanca e radhës të mbahet më 10 nëntor, në orën 11:00.
Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e Jamarbër dhe Argita Malltezit për heqjen e sekuestros mbi pasuritë e tyre.
Kujtojmë se Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë”, kryer në bashkëpunim, ndërsa Jamarbër Malltezi për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Të pandehur në këtë çështje janë gjithashtu edhe Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, që dikur ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes. Hetimet e SPAK pretendojnë se ky proces është zhvilluar në mënyrë të paligjshme dhe ka sjellë përfitime të padrejta për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.


