Dorëzohet Qendra e parë e Çaktivizimit të Armëve, Lamallari: Forcon sigurinë, afron Shqipërinë me BE

Më datë:

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Qendrës së Çaktivizimit të Armëve të Vogla e të Lehta dhe pajisjeve për funksionimin e saj, një investim i realizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, Gjermanisë dhe Francës.

Të pranishëm në këtë takim ishin drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ambasadori i OSCE-së në Tiranë, Michel Tarran, si dhe përfaqësues të Delegacionit të BE-së, ambasadës franceze e gjermane.

Në fjalën e tij, Lamallari e cilësoi këtë projekt si një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të shtetit shqiptar për kontrollin e armëve të vogla e të lehta, municioneve dhe eksplozivëve, duke theksuar se ai kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë publike dhe harmonizimin e praktikave shqiptare me standardet europiane.

“Dorëzimi i Qendrës së Çaktivizimit dhe pajisjeve për funksionimin e saj është një hap konkret që forcon sigurinë publike, rrit standardet tona profesionale dhe afron Shqipërinë edhe më shumë me praktikat dhe standardet europiane në këtë fushë kaq të ndjeshme”, u shpreh ministri.

Sipas tij, projekti përfaqëson një nga bashkëpunimet më të rëndësishme ndërkombëtare në drejtim të reduktimit të rrezikut nga përhapja dhe keqpërdorimi i armëve të vogla e të lehta, duke krijuar një sistem të qëndrueshëm sigurie që synon parandalimin e qarkullimit të paligjshëm të armëve dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit.

Lamallari theksoi se caktivizimi i armëve është një instrument kyç në luftën kundër armëve të paligjshme dhe se Ministria e Brendshme e ka trajtuar këtë proces si prioritet strategjik. Në këtë kuadër janë ndërmarrë masa për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe teknik, përafrimin e standardeve kombëtare me ato të OSBE-së dhe Bashkimit Europian, si dhe për ngritjen e kapaciteteve profesionale të nevojshme për zbatimin e procesit.

Ai nënvizoi se ngritja e kësaj qendre krijon për herë të parë në Shqipëri një infrastrukturë të dedikuar për ushtrimin praktik të procesit të caktivizimit të armëve të vogla e të lehta.

Përveç investimit në infrastrukturë dhe pajisje, projekti ka mundësuar hartimin e manualeve të specializuara, integrimin e tyre në platformat e Policisë së Shtetit, zhvillimin e programeve të trajnimit për specialistët dhe shkëmbimin e eksperiencave me ekspertë francezë për zbatimin e standardeve europiane.

Ministri vlerësoi gjithashtu mbështetjen e projektit për forcimin e kapaciteteve të njësive K9 në zbulimin e armëve, municioneve dhe eksplozivëve, si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi rreziqet që lidhen me përhapjen dhe keqpërdorimin e armëve.

“Të gjitha këto masa janë të lidhura drejtpërdrejt me objektivat e Strategjisë Kombëtare për Kontrollin e Armëve të Vogla e të Lehta dhe me angazhimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të procesit të integrimit europian”, deklaroi Lamallari.

Në përfundim, ministri shprehu mirënjohje për Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, Bashkimin Europian, Gjermaninë dhe Francën për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit në vend.

“Siguria nuk ndërtohet vetëm me ligje dhe struktura, por me institucione të afta, bashkëpunim të fortë dhe vizion afatgjatë”, përfundoi ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha se kjo qendër përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në sigurinë e vendit dhe brezave të ardhshëm.

“Sot, nëpërmjet kësaj qendre dhe këtij partneriteti të suksesshëm, ne japim një mesazh të qartë se siguria kërkon bashkëpunim, standarde të përbashkëta dhe vendosmëri të palëkundur. Armëmbajtja mbetet një kërcënim serioz për sigurinë publike, jetën e qytetarëve dhe luftën kundër krimit të organizuar, ndaj kjo qendër përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në sigurinë e vendit dhe të brezave të ardhshëm”, tha Hita.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Ish-kongresmeni republikan në Kuvendin e PD: Do ju mbështesim, do rrëzojmë sërish tiraninë

Ish-kongresmeni republikan amerikan, Bob McEwen mbajti një fjalim në...

PD krijon me IA avatarin e Skënderbeut

Në punimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike u...

Supë me thjerrëza

Një racion me supë me thjerrëza plotëson pothuaj të...

Dërgesat e hershme të Fitbit Air kanë probleme me lidhjen me telefonat Android

Google zbuloi pajisjen e saj të parë të gjurmimit...