Deputeti i PD-së, Bledion Nallbati, është paraqitur sot më 27 tetor, në SPAK për t’u pyetur lidhur me një konflikt që ndodhi më 3 maj në Bilisht, gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit.
Ngjarja përfshinte një përplasje fizike mes Nallbatit, të vëllait të tij dhe një shoferi kamioni.
Në deklaratën për mediat, Nallbati mohoi përgjegjësinë dhe e cilësoi incidentin si të stisur politikisht nga drejtuesi i PS-së në Korçë, Niko Peleshi. Ai tha se ishte thirrur vetëm si person në dijeni të ngjarjes.
Vëllai i deputetit, i cili kishte goditur shoferin, u arrestua fillimisht, por më pas për të u aplikua masa “detyrim paraqitje”. Për deputetin, nuk u mor asnjë masë.
Ky nuk është rasti i parë i Nallbatit kur përfshihet në ngjarje të dhunshme; vitin e kaluar ai u përfshi në një incident tjetër me Vullnet Sinajn nga PS, që përfundoi me pushimin e çështjes nga Prokuroria.


