Në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çelaj, ngriti shqetësimin në lidhje me sjelljen e policisë gjatë protestës së opozitës më 24 janar.
Çelaj theksoi se qëndrimi i “forcave të policisë ndaj protestës së opozitës, ka qenë jo korrekt dhe joproporcional me shkallën e veprimit të protestuesve”.
Deputeti demokrat kërkoi nga kryetari i komisionit, Bledi Çuçi, që të mbajë qëndrim në lidhje me fjalët e përdorura nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së në parlament, sipas tij, të papërshtatshme.
“Ata janë njerëz që dalin aty për të protestuar kundër korrupsionit tuaj në këto 13 vite, kundër moszbatimit të ligjit, kundër shpopullimit, kundër diskriminimit, kundër varfërisë. Dalin për të luftuar ndryshimin dhe sjelljen e Shqipërisë në binarët e ligjit. Arrestuan fëmijë 10-vjeçarë dhe ministrja del dhe thotë se qëlloi me gurë policinë”, tha ai.
Shqetësimit të deputetit demokrat iu përgjigj ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, i cili deklaroi se qëndrimi i qeverisë është i qartë dhe i pandryshuar, respekton protestën si një të drejtë kushtetuese.
“Një sqarim për sa i përket insinuatës që ju ngritët ose ankesës që ngritët me të drejtë në fillim të kësaj seance për sa i përket protestës dhe protestuesve. Dua t’ju them që qeveria shqiptare respekton pafundësisht protestën është e drejtë kushtetuese.”
Ministri rikujtoi ngjarjet e 21 janarit dhe përkujtimin çdo vit të 4 dëshmorëve të atdheut.
“Nga ana tjetër ju e keni parë që si forcë politike në çdo janar të nderojmë protestues të paqtë që janë vrarë me duar në xhepa në mes të bulevardit dhe, duke pritur që drejtësia shqiptare të vendosë atë të drejtë të mohuar për shumë vite dhe që është një plagë që rrjedh ende gjak atje. Në nivel personal, ju e dini që unë i përkas një tradite fetare që protestën e ka gjenezën e vet”, tha ministri i Shtetit, në përgjigje të deklaratave të opozitës.
Në vijim të diskutimeve në Komision, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin iu përgjigj edhe aludimeve për keqmenaxhim dhe korrupsion, duke theksuar se Shqipëria ka kaluar në një fazë tjetër falë reformës në drejtësi dhe vullnetit politik.
“Nuk është që nuk ka pasur abuzime në 2013, por sot për shkak të këtij vullneti politik dhe për shkak të asaj reforme në drejtësi, ne mund të parandalojmë përmes administrimit, gjë që po ndodh,” deklaroi ministri.
Sipas tij, projektet e financuara nga Bashkimi Europian dhe instrumentet IPA po shërbejnë jo vetëm për zhvillim, por edhe për forcimin e kapaciteteve administrative, duke ndihmuar në ndarjen e keqfunksionimit nga korrupsioni.
Ministri akuzoi opozitën se po e politizon debatin dhe se çdo problem përpiqet ta etiketojë si korrupsion.
“Ju duket e gjitha korrupsion, sepse në forcën tuaj politike e keni të ngjizur korrupsionin nuk po ndaheni dot nga ajo që e keni vetë. Ju e dini vetë se keni bërë disa komisione kuvende që përpiqeni ta gjeni, kush korruptoi, kallëzime keni dhe ato kallëzimet që i bëni njëri-tjetrin për korrupsion” tha ministri.
Në përmbyllje, ministri bëri thirrje që diskutimi të mos politizohet dhe të mbetet në nivel teknik, veçanërisht sa i përket çështjeve të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit europian.


