21.5 C
Tirana

Buxheti 2025, Manja: 17% rritje për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë

Më datë:

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja bëri të ditur sot se buxheti për kompensimin financiar të ish-të përndjekurve politikë vjen me rritje në masën 17% krahasuar me vitin aktual buxhetor.

Gjatë diskutimit në Kuvend të amendamenteve për projektbuxhetin 2025, Manja theksoi se fondi për kompensimin e ish-të përndjekurve në vitin 2024 ishte 1.2 miliardë lekë, ndërsa në buxhetin e viti 2025 është 1.4 miliardë lekë, ose 17% me rritje.

“Ministria e Financave ndjek shpërndarjen e kësteve të radhës. Në dijeninë time për trashëgimtarët e ish-të përndjekurve politikë është drejt fundit kësti i katërt dhe së shpejti do të fillojë lëvrimi i këstit të pestë, por gjithsesi buxheti vjen me rritje. Në vitin 2026 do të jetë 1.6 miliardë lekë dhe në vitin 2027 do të jetë 2 miliardë lekë. Këto janë mundësitë financiare të këtij buxheti për të shlyer borxhin moral që ne të gjithë si shoqëri kemi. Nuk po u japim asnjë gjë përveçse atë të cilën ata e paguan me burgun e padrejtë por edhe me vitet që humbën në këto burgje dhe kampe internimi”, tha Manja.

Manja kujtoi se deri në vitin 2013 ish-të përndjekurit politikë ishin në proces për marrjen e këstit të dytë, ndërkohë që kësti i parë ishte shpërndarë gjysma-gjysma.

“Ndërsa ata që kanë vuajtur fizikisht në burgjet e regjimit komunist në dijeninë time janë shlyer të gjithë”, shtoi ministri.

Manja kërkoi që të bëhet një ndryshim në ligjin për ish-të përndjekurit politikë, për një kategori prej 3650 dosjesh që i kanë dorëzuar dosjet jashtë afatit ligjor dhe që sot praktikisht nuk janë pjesë e përfitimit të kompensimit financiar për shkak se i ka djegur afati i dorëzimit të dokumenteve.

“Fakti është se sot ajo kategori që janë përfitues sipas ligjit nuk përfshihen në kategorinë përfituese. Efekti në buxhetin e shtetit është diku te 18 milionë euro por do të jetë në nderin tonë që ne t’ua njohim këtë të drejtë. Pastaj masa e shlyerjes dhe kompensimit është çështje si gjithë të tjerët që përfitojnë nga kjo skemë, kanë vite”, tha ai.

Duke folur për kompensimin e pronarëve, Manja theksoi se prej kohësh ka kërkuar që termi ish-pronarë të mos përdoret.

“Këtë e kam qëndrim të timin publik edhe kur kam drejtuar Komisionin e Ligjeve, sepse pronar o je o s’je, ish nuk ka. Por është një diskutim dhe debat i vjetër historik daton në fillimet e demokracisë kur u miratua ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve”, tha ai.

Manja theksoi se aktualisht po flasim për kompensimin financiar të pronarëve legjitimë të njohur sipas ligjeve të kohës.

“Të gjithë biem dakord që kjo shoqëri e ka këtë borxh moral për pronarët dhe për ish-të përndjekurit politikë. Sigurisht nuk do të jetë vetëm kjo gjeneratë që do të paguajë. Unë uroj që ata ta marrin kompensimin financiar mbrapsht sa më shpejt të jetë e mundur, por ky është realiteti, sepse buxheti do të duhet të mbulojë shumë fusha e sektorë të tjerë”, tha Manja. 

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

OpenAI realizon planin për të konkurruar Google, prezanton shfletuesin me IA

OpenAI ka prezantuar një shfletues me inteligjencë artificiale për...

Bonus-malus në zbatim nga 1 janari 2026, penalizon 3,8 % të drejtuesve të mjeteve me historik aksidentesh

Drejtoresha Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Mimoza...

Presidenti Begaj kërkon rishikim të qëndrimit të Vietnamit mbi njohjen e Kosovës

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pranoi sot Letrat Kredenciale...

Berisha sulmon Ballukun: Paratë e qytetarëve të shpenzuara pa masë për aeroportin e Vlorës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar sot...