Në fjalimin e tij më 1 gusht drejtuar zviceranëve, Presidenti i Konfederatës, Guy Parmelin, pohon se vlerat dhe besimi që na mbështesin në kohë krize na bashkojnë përtej kufijve.
“Fundi i vitit të kaluar u shënua nga tragjedia e Crans-Montana, por edhe nga luftëra dhe kriza të shumta. Në këto momente, ne e ndiejmë edhe më intensivisht lidhjen që na bashkon”, thotë presidenti i Konfederatës Zvicerane në videomesazhin që u drejton afërsisht 840,000 zviceranëve jashtë vendit me rastin e festës kombëtare, më 1 gusht.
“Pavarësisht paqëndrueshmërisë aktuale, Zvicra merr forcë nga stabiliteti i saj. Vlerat e demokracisë dhe lirisë formësojnë historinë tonë. 1 Gushti (data në të cilën festohet Festa Kombëtare Zvicerane) na lejon të festojmë këto vlera dhe të besojmë se ato do të vazhdojnë, pavarësisht situatës globale. Ndonjëherë, të qëndruarit besnik ndaj bazave është ajo që na lejon të ecim përpara.
Vlerat dhe besimi që na mbështesin në kohë krize na bashkojnë përtej çdo kufiri. Është në këtë frymë që ju uroj, edhe në emër të qeverisë federale, siguri, prosperitet dhe një 1 Gusht të lumtur”, ka thënë ndër të tjera ai.
Ai përdori flamurin zviceran dhe prodhimin e tij për të ilustruar zhvillimin e vendit. Fjalimi i tij u regjistrua në një fabrikë flamujsh në Neudorf, Lucernë, një vend që shërben si kujtesë se “edhe simbolet më të fuqishme fillojnë me punë konkrete”, shpjegoi ai.
Sipas tij, thjeshtësia e dukshme e flamurit zviceran mishëron “vlera të paçmuara”: lirinë, neutralitetin, demokracinë dhe vullnetin për të mbetur të bashkuar pavarësisht dallimeve.
“Zvicra siguron kohezionin e saj që nga themelet”, theksoi ai. Ai me këtë rast iu referua komunave, kantoneve, por edhe bizneseve, fermave dhe shoqatave. Sipas mendimit të tij, ky kohezion mishërohet në solidaritet, respekt për fjalën e dhënë dhe ndarjen e njohurive.
Prmelin shpjegoi gjithashtu se nuk mund të ketë liri “pa përgjegjësi”. “Unë besoj në këtë Zvicër, e cila nuk i merr gjërat lehtë, në këtë Zvicër që mund të jetë krenare pa arrogancë, mbetet bujare pa naivitet”, vazhdoi Ministri i Çështjeve Ekonomike. Ai mbështeti një Zvicër kozmopolite që “nuk heq dorë nga pavarësia e saj e gjykimit”.
Së fundmi, Presidenti Federal theksoi se institucionet dhe vlerat si demokracia e drejtpërdrejtë dhe neutraliteti nuk duhen marrë si të mirëqena, përcjell albinfo.ch. Ato duhet të ushqehen “në mënyrë që të vazhdojnë t’i rezistojnë provës së kohës, veçanërisht në kohë të trazuara”.
Në një botë të trazuar, flamuri nuk duhet të bëhet simbol i izolimit, por duhet të mbetet një “simbol i besimit”, përfundoi Parmelin.


