Berisha në takimin e “Martens Centre”: Integrimi në BE duhet të bëhet sipas meritave jo lobingjeve

Më datë:

 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë sot në seminarin vjetor të Bashkëpunimit dhe Planifikimit, të organizuar nga Qendra për Studime Evropiane “Wilfried Martens”, i njohur si think tanku zyrtar i Partisë Popullore Europiane (PPE), anëtare e të cilit është Fondacioni për Liri i Partisë Demokratike FLD.

Takimi i përvitshëm që bëhet për herë të parë ne një vend jo anëtar i BE-se, mbledh ekspertë e figura drejtuese nga PPE dhe fondacionet anëtare të Martens Centre.

Gjatë takimit me ish-kryeministrin e Sllovakisë, Mikuláš Dzurinda, aktualisht Presidenti i “Martens Centre”, kreu i PD-së, Sali Berisha paraqiti një panoramë të plotë të gjendjes politike, institucionale dhe sociale në Shqipëri, duke ngritur shqetësime serioze lidhur me drejtimin e vendit nga qeveria aktuale.

Gjatë takimi që u zhvillua në hotel “Melia” në Durrës, kreu i PD-së Sali Berisha ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj PPE-së dhe ‘Martens Center’ për angazhimin e tyre gjithnjë e më të madh në adresimin e realitetit shqiptar. Ai vlerësoi bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, mes tyre Instituti Republikan Ndërkombëtar, Fondacioni Suedez Jarl Hjalmarson, KAS dhe Fondacioni për Liri dhe Demokraci, për mbështetjen e çmuar në procesin e modernizimit dhe dixhitalizimit të strukturave të PD. Berisha theksoi se ripërtëritja është kryefjala e PD-së dhe se ky transformim do të forcojë kapacitetet e partisë si alternativa e vetme demokratike dhe europiane për Shqipërinë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij, ka rikujtuar edhe angazhimin e vrullshëm të opozitës gjatë periudhës së fundit, duke përfshirë organizimin e deri dy-tre protestave në javë, si dhe veprimtari intensive parlamentare dhe qytetare.

Sipas Berishës, refuzimi kategorik i Edi Ramës për të hequr imunitetin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, përbën dëshmi të pamohueshme të kapjes së shtetit dhe të refuzimit institucional për t’u ballafaquar me drejtësinë.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se PD-ja ka dokumentuar me prova se Edi Rama ka ndërtuar një sistem të organizuar të blerjes së votave dhe manipulimit elektoral, duke mobilizuar burimet e shtetit në shërbim të interesave partiake. Sipas tij, instrumentet e këtij sistemi përfshijnë shpërndarje të drejtpërdrejtë të ndihmave sociale dhe faciliteteve tatimore me vlerë qindra milionë euro, bonuse dhe skema sociale të synuara ndaj shtresave vulnerabël, kryesisht të moshuarve, skema si ajo e AZHBR-së, e cilësuar nga PD si vjedhje e organizuar e fondeve evropiane dhe bashkëpunim i drejtpërdrejtë me kartelet e krimit të organizuar dhe të trafikut të drogës për blerje votash dhe falsifikim të procesit elektoral. Berisha u shpreh se, PD i kërkon komunitetit europian dhe institucioneve ndërkombëtare hetim të pavarur dhe gjithëpërfshirës të procesit elektoral në Shqipëri.

Duke folur në tryezë, kryetari i PD-së Sali Berisha shprehu shqetësim të thellë dhe alarm maksimal lidhur me transformimin e Shqipërisë në një narkoshtеt. Ai vërejti se toleranca e gabueshme e disa diplomatëve të huaj ndaj kultivimit dhe trafikut të kanabisit, me arsyetimin se bëhej fjalë për drogë të lehtë, ka çuar drejtpërdrejt në përshkallëzim të ndjeshëm të trafikut të drogave të forta me origjinë nga e gjithë bota, konsolidim të strukturave kriminale brenda institucioneve shtetërore, rrezik real dhe të dokumentuar për sigurinë rajonale europiane.

Mbyllja e syrit nuk ka qenë neutralitet, ka qenë bashkëfajësi pasive, theksoi lideri i opozitës Sali Berisha, duke i bërë thirrje BE-së dhe SHBA-së të rishikojnë qasjen e tyre ndaj qeverisë Rama.

Berisha u shpreh se, PD mbështet pa rezerva integrimin europian të Shqipërisë, por mban qëndrim të qartë e parimore: procesi i zgjerimit duhet të bazohet ekskluzivisht mbi merita dhe mbi transformime reale e të verifikueshme, që përfshijnë forcimin e sundimit të ligjit dhe pavarësinë e institucioneve, zbatimin e plotë të standardeve dhe reformave të kërkuara nga BE-ja dhe transparencën e procesit elektoral dhe respektimin e vullnetit të lirë të qytetarëve.

Sipas tij, PD kundërshton kategorikisht çdo tendencë për ulje të standardeve apo anashkalim të kushteve të integrimit me qëllim legjitimimin e qeverisjes Rama.

Kryetari i PD-së Sali Berisha foli në tryezën organizuar nga Qendra për Studime Evropiane “Wilfried Martens”, edhe për Kolegjin e Europës.

Berisha e ka cilësuar Kolegjin e Europës në Tiranë, si një nga rastet më flagrante të lobimit të financuar me para publike shqiptare. Ky skandal, i lidhur me emrin e ish-përfaqësueses së Lartë të BE-së Federica Mogherini, aktualisht në hetim nga autoritetet belge hedh hije të rënda mbi tërë procesin e vendimmarrjes europiane për Shqipërinë. Partia Demokratike tha kryetari Sali Berisha, kërkon hetim të plotë dhe transparent, si në Bruksel ashtu edhe në Tiranë.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

I dënuar në Itali, arrestohet me qëllim ekstradimi 54-vjeçari

 Policia e Shtetit arrestoi sot në Kurbin një 54-vjeçar...

Diaspora shqiptare në Itali i bashkohet protestave: thirrje kundër qeverisë

Protesta masive që nisën me Zvërnecin por që tashmë...

Kombëtarja shqiptare luan sot miqësoren me Luksemburgun në “Air Albania”

Kombëtarja shqiptare do të luajë sot në orën 20:00...

Balla inspekton plazhin e Spillesë: Sezoni turistik nis me kapacitete të plota

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe drejtuesi...