Balla: Shqipëria, hapa përpara në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mori sot pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, ku e pranishme ishte dhe reporterja për Shqipërinë në PE, Isabel Santos.

Në fjalën e tij, Balla tha se “Shqipëria po bën përpara në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

“Ka përfunduar takimi dypalësh me Komisionin Evropian për grupin e kapitujve të parë të demokracisë dhe të drejtave të njeriut gjë që dëshmon vendosmërinë e Shqipërisë për të mos humbur kohë në këtë proces”, tha Balla.

Balla nënvizoi rolin që duhet të ketë Kuvendi në këtë proces në vijimësi.

“Të bindur mbi rolin qendror dhe kontributin që Kuvendi mund dhe duhet të japë në këtë proces kemi ngritur së bashku me opozitën komisionin e posaçëm për të rishikuar rolin e Kuvendit në këtë proces. Ndër objektivat e këtij Komisioni Ad Hoc është rishikimi i rolit të komisionit për integrimin në BE dhe padyshim dhe i Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian (KKIE), duke iu referuar modeleve më të suksesshme dhe mësimeve të nxjerra nga shtete, të cilat kanë kaluar para nesh këtë proces”, shtoi Balla.

Ai ritheksoi faktin se, roli i shoqërisë civile dhe i ekspertëve është i mirëpritur në këtë debat të hapur mbi rishikimin e rolit të Kuvendit dhe organeve parlamentare nëpërmjet propozimeve konkrete të drejtuara Komisionit.

“Komisioni i posaçëm padyshim javët në vazhdim do të dalë me një raport në lidhje me ndryshimet që do të duhet të reflektohen në ligjin “për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian” duke synuar forcimin e rolit të tij në raport me këtë proces kaq të rëndësishëm për Shqipërinë”, tha Balla.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi