Nga qyteti i shenjtë i Mekës, ku po qëndron me ftesë të Mbretit Salman bin Abdulaziz Al Saud, Presidenti Bajram Begaj ka uruar besimtarët myslimanë shqiptarë për festën e Kurban Bajramit.
Përmes një mesazhi të mbushur me urime për paqe dhe begati, Kreu i Shtetit ka vënë theksin te rëndësia e sakrificës dhe solidaritetit njerëzor, duke kujtuar se shoqëria bëhet më e fortë kur ndajmë gëzimin, por edhe përgjegjësinë për tjetrin.“Të dashur besimtarë myslimanë, Nga Meka, qyteti i shenjtë i besimit dhe paqes, në këtë ditë të shënuar të Kurban Bajramit, ju përcjell urimet më të përzemërta për më shumë begati, shëndet, harmoni dhe mirësi në familjet tuaja!
Kurban Bajrami është kujtesë për sakrificën, përkushtimin ndaj Zotit, solidaritetin me njëri-tjetrin dhe kujdesin për ata që kanë më shumë nevojë. Shoqëria bëhet më e fortë kur njerëzit ndajnë jo vetëm gëzimin, por edhe dhembjen dhe përgjegjësinë për tjetrin.
Festa si Kurban Bajrami na rikujtojnë vlerat që i kemi mbajtur gjallë ndër shekuj: besimin, familjen, mikpritjen dhe respektin për njëri-tjetrin.
Jam veçanërisht i nderuar që këtë festë ta pres në Mbretërinë e Arabisë Saudite me ftesë të Mbretit Salman bin Abdulaziz Al Saud, në vendin ku miliona besimtarë nga e gjithë bota bashkohen në lutje, përulësi dhe paqe.
Gëzuar Kurban Bajramin! Zoti sjelltë paqe, mirësi dhe begati në çdo vatër shqiptare!”, ka shkruar Begaj.
Mesazhe urimi për Kurban Bajramin kanë ardhur edhe nga kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili me anë të një videoje të publikuar në rrjetet sociale uron besimtarët myslimanë, ku shkruan: Ditë e bekuar, natë e ndritshme. Gëzuar Kurban Bajramin!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha me rastin e Kurban Bajramit ka zhvilluar një vizitë në Komunitetin Mysliman Shqiptar.
Berisha ka uruar mbarë qytetarët shqiptarë këtë festë, të sakrificës dhe frymëzimit.
“Të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë, por dhe të gjithë shqiptarëve që sakrifikojnë për të mirën e tyre, familjes, që sakrifikojnë për besimin tek Zoti dhe tek vendi, i uroj gëzuar këtë ditë. Ditë që simbolizon, frymëzon sakrificën mbi të cilën ndërtohet gjithçka e mirë në tërë historinë e njerëzimit. Uroj që Bajrami tjetër të na gjejë dhe ta bëjmë më mirë. Faleminderit”, uroi kryedemokrati.
Edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla pati një mesazh urimi për besimtarët myslimanë, në ditën e Kurban Bajramit. Balla e quajti një ditë reflektimi dhe solidariteti.
“Tradita jonë e të gjithë shqiptarëve, është që ne i festojmë të gjitha festat fetare, por Kurban Bajrami ka një domethënie të veçantë. Është festa e solidaritetit, është festa kur ata që kanë më shumë mundësi duhet të përkujdesen për ata që kanë më pak mundësi. Kështu që në këtë ditë të rëndësishme të besimit islam, dua që t’i uroj të gjithë besimtarët dhe po ashtu të them që paqja dhe begatia mbretëroftë në familjet e të gjithë shqiptarëve. Jemi në një moment historik, nuk do të hezitoja, që ta quaja, ndërsa dje Shqipëria jonë ka hedhur një hap shumë të madh, drejt realizimit të asaj aspirate, që rilindja jonë kombëtare e quante ribashkimin me Europën, sepse për ne shqiptarët dielli lind andej nga perëndon”, tha Balla.


