Autoritetet e Azerbajxhanit besojnë se avioni i Azerbajxhanit i cili u rrëzua në Kazakistan, duke vrarë 38 persona, u godit nga një raketë antiajrore ruse, raportuan burime të shumta.
Agjencia turke e lajmeve, AA citoi zyrtarë të lartë shtetërorë të paidentifikuar në Azerbajxhan të kenë thënë se avioni u godit nga një raketë.
Në Azerbajxhan, portali i lajmeve në internet caliber.az iu referua gjithashtu burimeve anonime të qeverisë.
Sipas këtyre burimeve, avioni ”Embraer 190” që udhëtonte nga kryeqyteti i Azerbajxhanit Baku për në Grozni të Rusisë, u godit nga një raketë kundërajrore ruse ”Pantsir S”.
Në të njëjtën kohë, aktiviteti i dronëve ukrainas u regjistrua në rajonin rus të Çeçenisë, kryeqyteti i të cilit është Grozni.
Pilotët kërkuan një ulje emergjente në aeroportet më të afërta ruse ”Mineralnye Vody” ose ”Makhachkala”.
”Kjo nuk ishte e autorizuar, kështu që ekuipazhi e çoi avionin e dëmtuar përmes detit Kaspik në Aktau në Kazakistan”, sipas raportit të caliber.az.
Avioni me 67 persona në bord u rrëzua dhe shpërtheu teksa po tentonte të ulej në Kazakistan.
Fotot e pjesës së bishtit të avionit tregojnë dëmtime që i ngjajnë vrimave të goditjes nga armët kundërajrore.


