Pasi ekuipazhi i Apollo 8 kapi foton ikonike të Tokës në vitin 1968, astronautët e Artemis e kanë rikrijuar imazhin, duke zbuluar ndryshime në planetin tonë të brishtë blu.
Kur komandanti i Apollo 8, Frank Borman, pa për herë të parë anën e largët të Hënës nga dritarja e anijes së tij kozmike në vitin 1968, ai u mahnit nga pamja e saj e shkretë.
“Sipërfaqja hënore ishte tmerrësisht e dëmtuar nga krateret e meteoritëve dhe mbetjet vullkanike”, tha ai gjatë një interviste për BBC në vitin 2018. “Ishte ose gri, ose e zezë, ose e bardhë – nuk kishte absolutisht asnjë ngjyrë në sipërfaqen hënore dhe ishte e rrëmujshme përtej çdo besimi.”
Por, ndërsa anija kozmike përfundoi orbitën e saj të katërt hënore, papritmas, u shfaq një pamje shumë e ndryshme.
“Ne ngritëm shikimin lart dhe në sfond ishte Toka që po ‘vinte’ mbi sipërfaqen hënore, dhe Bill Anders bëri fotografinë që u bë ndoshta një nga fotografitë më domethënëse që njerëzit kanë bërë ndonjëherë”, tha Borman.
“Toka ishte e vetmja gjë në të gjithë Universin që kishte ngjyrë, ishte një pamje e jashtëzakonshme, ne jemi shumë, shumë me fat që jetojmë në këtë planet.”
Kjo fotografi e ‘Lindjes së Tokës’, siç u quajt, u bë një nga imazhet më të riprodhuara të të gjitha kohërave. Duke e treguar planetin tonë në kontekstin e shkretëtirës hënore dhe hapësirës, ajo nxiti lëvizjen mjedisore, duke çuar në krijimin e Ditës së Tokës në vitin 1970.
58 vjet më vonë, astronautët e NASA-s kanë bërë një tjetër foto mbresëlënëse të Tokës, “Earthset” . Gjatë fluturimit të tyre pranë Hënës në fillim të këtij muaji, ekuipazhi i Artemis II kapi imazhin e ri të planetit tonë të brishtë blu në hapësirën e pafundme. (Nuk e dimë kush e bëri fotografinë këtë herë sepse katër astronautët kanë zgjedhur të mos ia atribuojnë fotot individëve, por të gjithë ekuipazhit).
Në aspektin gjeologjik, pak më shumë se 50 vite janë një periudhë shumë e shkurtër. Megjithatë, ndryshimet klimatike kanë ndikuar dukshëm në sipërfaqen e Tokës gjatë këtyre dekadave. Ekspertët shpjegojnë për BBC dallimet që duken mes fotove “Earthrise” dhe “Earthset”, dhe çfarë tregojnë ato për planetin tonë dje dhe sot.
Pavarësisht ndikimit dhe trashëgimisë së saj, ajo që e bën edhe më të habitshme fotografinë “Earthrise” është fakti se askush në NASA nuk e kishte parashikuar.
Kur u bë një pyetje në konferencën për shtyp pas nisjes së misionit Artemis për planet për një foto të re “Earthrise”, ishte e qartë se këtë herë NASA nuk do të zihej në befasi. “Do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta realizuar këtë,” tha Lori Glaze, drejtuese e sektorit për zhvillimin e sistemeve të eksplorimit në agjenci.
Fotoja “Earthset” u realizua nga dritarja e anijes Orion më 6 prill, gjatë një fluturimi rreth Hënës që zgjati shtatë orë. Sipas NASA-s, në të dallohet ana e ndriçuar e Tokës me re të bardha dhe ujëra blu mbi rajonin e Oqeanisë, ndërsa zonat e errëta janë në natë. Në të njëjtën kohë, fotografia tregon edhe detaje të jashtëzakonshme të sipërfaqes së Hënës, me krateret dhe basenet e saj.
Ndryshe nga viti 1968, sot satelitë të shumtë fotografojnë Tokën çdo ditë dhe monitorojnë oqeanet, tokën dhe akullin në mënyra të ndryshme, jo vetëm me atë që shohim me sy. Ka edhe transmetime të vazhdueshme nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor dhe pamje të marra nga anije robotike nga largësi të mëdha. Megjithatë, fakti që “Earthset” është realizuar nga njerëzit e bën atë të veçantë.
Sipas ekspertëve, njerëzit japin një këndvështrim tjetër. Astronautët zgjedhin vetë momentin dhe mënyrën si e kapin një imazh, duke i dhënë atij edhe një ndjesi emocionale. Kjo na kujton sa i vogël dhe i brishtë është planeti ynë dhe se aty jetojmë të gjithë.
Por rëndësia e këtyre fotove nuk lidhet vetëm me emocionin. Edhe pse janë realizuar me rreth 58 vite diferencë, ato ndihmojnë për të kuptuar si ka ndryshuar Toka. Sipas studiuesve, niveli i dioksidit të karbonit në atmosferë është rritur me rreth një të tretën dhe temperatura globale është rritur me të paktën 1°C.
Aktivitetet njerëzore kanë ndryshuar dukshëm pamjen e planetit nga hapësira, qytetet janë zgjeruar, pyjet janë prerë dhe zona si Deti Aral janë tkurrur ndjeshëm. Ndërkohë, Antarktida është një nga rajonet që po ngrohet më shpejt dhe mijëra kilometra akull janë shkatërruar gjatë dekadave të fundit.
Studimet tregojnë se ndryshime të tilla nuk janë parë në 10 mijë vitet e fundit. Edhe në zona të tjera të Tokës ku ka akull, është vërejtur shkrirje më e shpejtë dhe ulje e mbulimit me dëborë. Shkencëtarët besojnë se 90-95% e këtyre ndryshimeve lidhen me aktivitetin njerëzor.
Megjithatë, edhe në vitin 1968, pavarësisht se Toka dukej e bukur nga hapësira, dëmet nga ndotja kishin filluar tashmë. Në disa qytete, si Los Angeles, smogu ishte aq i madh sa nuk mund të shihje përtej rrugës, ndërsa lumenjtë në disa zona madje merrnin flakë.
Borman vdiq në vitin 2023, por trashëgimia e misionit të tij Apollo 8 vazhdon ende dhe fjalët e tij janë po aq të rëndësishme sot për një brez të ri astronautësh.
“Nuk mendoj se ndonjëri prej nesh i ka kushtuar vëmendje faktit që do të shkonim deri në Hënë dhe do të ishim më të interesuar të shihnim Tokën”.


