Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dalë në një deklaratë për mediat lidhur me rezultatet e zgjedhjeve lokale të mbajtura një ditë më parë, të dielën e 12 tetorit.
“Në zgjedhjet e mbajtura dje, Vetëvendosja ka fituar pa balotazh në Podujevë, Kamenicë dhe Shtinë. Me votat e diasporës del që kemi fituar dhe pa balotazh edhe në Gjilan.
Ndërkohë jemi në balotazh në 12 komuna.”, tha Kurti.
Ai shtoi se Lëvizja Vetëvendosje është ngritur në këto zgjedhje si forca kryesore politike e Kosovës.
“Jo vetëm që e ka ruajtur rritjen nga cikli tjetër zgjedhor por Lëvizja Vetëvendosje është ngritur si forca kryesore politike e Kosovës edhe në nivel lokal. Kjo është dhurata më e çmuar dhe urimi më i mirë që kemi marrë.
Nga sot ne i përvishemi punës për balotazhin, synimi ynë është iqartë, që kandidatët tanë të fitojnë edhe në këto komuna dhe të vazhdojë edhe lëvizja e mirë.”, tha Kurti, i cili shtoi se këto ishin rezultat më të mira ndonjëherë që Lëvizja Vetëvendosje ka marrë në zgjedhjet lokale.
Kurti: Të hetohen kompanitë e exit poll-eve, cënuan zgjedhjet e lira!
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në deklaratën që dha këtë të hënë për mediat lidhur me rezultatet e zgjedhjeve lokale të mbajtura një ditë më parë ka kritikuar kompanitë që sipas exit poll-eve të tyre, i ulën Lëvizjes Vetëvendosje rezultatet në Mitrovicë.
Ndaj ai ka kërkuar që organet e drejtësisë të nisin sa më parë hetimet ndaj këtyre kompanive.
“Ajo çka ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën, duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për një huqje, por për një ‘inxhiniering’ të paramenduar për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor. Exit poll-et e prezantuara gabimisht, me 16 pikë të përqindjes dallim e më tepër se aq nga më shumë se një organizatë dhe për të njëjtën komunë, dhe postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbyllur vendvotimet, nuk janë thjesht një huqje”, deklaroi kryeministri i Kosovës.
Përkundrazi, sipas tij kjo gjë ishte “cenim i demokracisë, i zgjedhjeve të lira dhe i integritetit dhe i sigurisë së shtetit tonë. I ftoj organet e drejtësisë dhe sigurisë që të merren me këtë çështje.”