Në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizimit, 800 të rinj kanë zbritur në terren, për t’iu bashkuar aksionit të madh për pastrimin e plazhit të Velipojës.
Në një njoftim zyrtar, bashkia Shkodër bën me dije se pas punës së kryer nga ky institucion dhe ndërmarrjes së shërbimeve publike, energjia e këtyre të rinjve i dha aksionit një dimension krejt tjetër: jo thjesht pastrim, por vetëdije, model dhe frymë.
I pranishëm në këtë aksion, ishte edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci. Ky aksion shënoi një mobilizim të rëndësishëm qytetar në mbrojtje të mjedisit dhe pritet të vijojë me iniciativa të tjera bashkëpunuese mes të rinjve, institucioneve dhe komunitetit lokal.
Sot në botë, vlerësohet se ka rreth 1 miliard vullnetarë. Rreth 70% bëjnë vullnetarë joformalisht, duke ndihmuar drejtpërdrejt njerëzit në komunitetet e tyre, ndërsa 30% angazhohen përmes organizatave formale.
Këtë vit, nën temën frymëzuese “Çdo kontribut ka rëndësi”, Dita Ndërkombëtare e Vullnetarëve 2025 merr një rëndësi historike pasi shënon fillimin zyrtar global të Vitit Ndërkombëtar të Vullnetarëve për Zhvillim të Qëndrueshëm (IVY 2026).


