Me urdhër të SPAK (Struktura e Posaçme AntiKorrupsion), agjentët e BKH-së (Byroja Kombëtare e Hetimit) kanë zbarkuar mëngjesin e sotëm, 16 dhjetor, në zonën e Kodrës së Diellit.
Sipas informacioneve të para, mësohet se janë lëshuar disa urdhër-arreste, për abuzime me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Raportohet se është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si dhe ajo e “arrestit me burg” për disa biznesmenë.
Ata akuzohen për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”, megjithatë pritet një njoftim zyrtar nga ana e Prokurorisë së Posaçme.
Masa e “pezullimit të ushtrimit të detyrës” është caktuar për zëvendësdrejtorin e Policisë Tiranë.
Hetimi për çështjen ka nisur rreth 1 vit më parë dhe këtë të martë janë dokumentuar e janë sekuestruar një sërë provash pas kontrolleve në banesa.
Kujtojmë se Karçanaj u paraqit në SPAK më 3 dhjetor, ku qëndroi rreth 3 orë.
Atë ditë u raportua se ajo ka dhënë dëshmi sa i takon hetimeve për shkelje dhe keqpërdorime në 12 procedura tenderash brenda institucionit që ajo drejton.


