Gjykata e Posaçme e Apelit ka hequr sekuestron për banesën e nënës së deputetes Monika Kryemadhi.
Ndërsa ka mbetur në fuqi vendimi për sekuestrimin e apartamentit të kësaj të fundit.
Megjithatë, në një prononcim për mediat para SPAK, Kryemadhi tha se do bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Këtë proces gjyqësor ndaj saj, ajo e konsideron një “hakmarrje sa i përket Inceneratorit të Tiranës”.
“Është hakmarrje, por patjetër nga ana ime duhet durim e konsistencë.
Ka edhe një avantazh, unë futem çik edhe pa radhë se mamaja ime në Gjykatën e Strasburgut.”
Duke qenë se dje e tha me humor se pas sekuestrimit “do jetojë në çadër ose kontenier”, gazetarët e pyetën a ka shanse që tanimë të zhvendoset tek nëna e saj, Fatimja.
“Unë kam jetuar gjithmonë me mamanë time.
Ndoshta se shqiptarët edhe nuk e mbajnë mend, kur kam ngelur shtatzënë me vajzën time të parë, ne s’kemi qenë as të fejuar e as të martuar me Ilir Metën.
Ne ishim të dy si dy të rinj që ça fluturon hahet.
Më hapi derën e shtëpisë, më dha dy dhoma që ne të jetonim me Ilir Metën.
Më pas mua m’u sëmur babai dhe ajo kishte nevojë për mua. Ne kemi jetuar bashkë që nga ’98-a”, tha Kryemadhi.