Mbahet ditën e sotme Procesi i Berlinit, ku merr pjesë edhe Kryeministri i vendit, Edi Rama. Në kuadër të 10-vjetorit të tij, Procesi i Berlinit ka nisur në orën 09:30 të mëngjesit të sotëm që ka përkuar me mbërritjen e delegacioneve në Kancelarinë Federale të Berlinit që janë pritur nga Scholz.
Procesi do të jetë i ndarë në 2 sesione, konkretisht në bashkëpunimin dhe tregun e përbashkët rajonal si dhe në axhendën e gjelbër, lidhshmërinë dhe energjinë mes shteteve. Në orën 14:00 pritet që të mbahet një konferencë për shtyp që i pason diskutimeve me përfaqësues të Forumit Rinor dhe të Shoqërisë Civile.
Procesi i Berlinit filloi në vitin 2014 për të promovuar bashkëpunimin si mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe mes këtyre vendeve dhe atyre të BE-së. Zbatimi i marrëveshjeve ka qenë i ngadalshëm, madje në disa raste ato nuk janë zbatuar. Ka pengesa në lëvizjen e lirë të qytetarëve, të mallrave.
Në Samitin e 14 Tetorit në Berlin pritet të lancohet Tregu i Përbashkët Rajonal 2. Në vitin 2023 u shënua hyrja në fuqi e tarifave të reduktuara për “roaming”. Si shembull të mirë, përmendet zbatimi i projektit të iniciuar në samitin e Parisit, më 2016, për bashkëpunimin e rinisë – RYCO.


