Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja mori pjesë në konferencën e 3-të rajonale të “Balkanomics”, që u zhvillua në Tiranë.
Duke marrë fjalën në këtë takim, Gonxhja foli mbi vizionin e qeverisë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe integrimin në Bashkimin Evropian.
“Diskutuam mbi rëndësinë e reformave administrative dhe ekonomike, duke nënvizuar rolin e ekonomisë së gjelbër, si një shtyllë kyçe për të ardhmen”, tha ministri.
Fokus të veçantë në këtë takim morën dhe disa strategji të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit shtet-privat.
“Po ashtu, u diskutua mbi disa strategji të rëndësishme që kanë për qëllim përmirësimin e politikave ESG dhe krijimin e sinergjive mes qeverisë dhe sektorit privat. Është koha që edhe bizneset shqiptare të kenë një qasje më të konsoliduar ndaj përgjegjësisë korporative dhe ESG, ndonëse duhet theksuar se ato kanë pasur një histori të gjatë të mbështetjes sociale”, theksoi Gonxhja.
Balkanomics mblodhi së bashku liderë dhe ekspertë ndërkombëtarë, të cilët ndanë përvojat e tyre për të ndihmuar në ndërtimin e rrjeteve dhe strategjive për zhvillimin ekonomik.


