Në një fabrikë plastike, në ish-kombinatin metalurgjik në Elbasan.
Policia e Elbasanit në një informacion paraprak bën të ditur se zjarri dyshohet se është shkaktuar prej një shkëndije elektrike.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve, nga të cilat janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.
Sula: Katastrofë mjedisore në Elbasan
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula e cilësoi si katastrofë mjedisore zjarrin në fabrikën e plastikës në Elbasan.
“E tmerrshme ajo çfarë po ndodh sot në Elbasan. Nuk mjaftojnë mbetjet urbane që janë bërë mal në këtë qytet, por një herë në vit duhet edhe ndonjë katastrofë si kjo”, u shpreh Sula.
“Tymi që shkakton djegia masive e plastikave është e dëmshme për të gjithë komunitetin e Elbasanit. Ndërkohë që edhe një herë kjo situatë dëshmoi dështimin e institucioneve monitoruese lokale”, theksoi ai.
Sula nënvizoi se, përpunimi i plastikës në fabrikën në fjalë është sektor me risk të lartë sa i përket zjarrit dhe patjetër do të duhej të ishin krijuar sistemet për shmangien e këtyre katastrofave mjedisore.
“Institucionet do duhet të kishin kontrolluar zbatimin e kushteve teknike. Korrupsioni i ka zënë sytë çdo pushtetari dhe ja pasojat”, u shpreh ai në një reagim në rrjetet sociale.


