Prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë duhet të përgatiten të zvogëlojnë prodhimin dhe kjo për shkak të koronavirusit vrastar që nuk po arrihet të frenohet.
Po përse epidemia ka një ndikim kaq të madh në tregun global të energjisë? Koronavirusi i ri u shfaq në kohën kur Kina përgatitej të kremtonte Vitin e ri Hënor.
Pushimet e festave u zgjatën, në pjesën më të madhe të vendit janë vendosur kufizime të rrepta udhëtimit dhe zyrat e dyqanet mbeten të mbyllura. Kjo do të thotë importuesi kryesor i naftës bruto në botë, që konsumon zakonisht rreth 14 milion fuçi në ditë, ka pasur më pak nevojë për naftë që të vinte në punë makineritë, automjetet e t`i mbante dritat ndezur.
Shpërthimi epidemik nga ana tjetër pritet të ketë ndikim të madh edhe tek kërkesa për karburant te avioneve, sepse linja ajrore në mbarë globin i kanë pezulluar fluturimet me Kinën. Edhe kufizimet brenda vendit gjithashtu nënkuptojnë reduktim të numrit të fluturimeve.
Shkalla e rënies ka tronditur industrinë e energjisë, sipas analistit të naftës me bazë në Chicikago, Phil Flynn I cili tha : “Ne nuk kemi parë një event shkatërrues të kërkesës në këtë nivel dhe që lëviz kaq shpejt.” Bloomberg raportoi këtë javë se konsumi ditor I naftës së papërpunuar në Kinë ka rënë me 20%, ekuivalenti i nevojave për naftë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë, të marra së bashku.


