Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka marrë pjesë sot në Samitin e Procesit Brdo-Brijuni, që po mbahet në Ohër, ku ka kërkuar trajtim të barabartë të Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.
Në fjalimin e saj para përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse, Shiroka-Pula tha se pjesëmarrja në këtë proces, për herë të parë që nga zgjedhja në detyrën e presidentes muajin e kaluar, përbën një mundësi për të riafirmuar orientimin evropian të rajonit.
Ajo theksoi se bashkëpunimi rajonal duhet të mbështetet në respekt, barazi, përgjegjësi dhe besim të ndërsjellë, duke nënvizuar se të gjitha shtetet duhet të trajtohen si të barabarta.
Gjatë fjalimit, presidentja ngriti edhe çështjen e mospërfshirjes së Kosovës në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të mbajtur më 16 nëntor në Bruksel. Ajo kritikoi gjithashtu interpretimin e një kënge nacionaliste në këtë aktivitet, duke thënë se mesazhet e tilla vënë në pikëpyetje shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
“BE-ja nuk mund të ndërtojë unitet duke toleruar simbole dhe praktika që nxisin ndarje, por as të mjaftohet me një distancim formal”, deklaroi Shiroka-Pula.
Ajo kërkoi që procesi i integrimit evropian të mos jetë selektiv dhe që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të përparojnë drejt anëtarësimit mbi bazën e meritave dhe kritereve të barabarta.
Sipas saj, zvarritja e procesit dhe mungesa e përparimit të Kosovës drejt statusit të vendit kandidat po dëmtojnë besimin e qytetarëve në perspektivën evropiane.
Shiroka-Pula foli edhe për rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal, duke veçuar heqjen e tarifave të roamingut ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe zbatimin e Planit të Rritjes, të cilin e cilësoi si mundësi për reforma, investime dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Duke iu referuar zhvillimeve të sigurisë në Evropë, presidentja përmendi agresionin rus në Ukrainë dhe nevojën për rritjen e gatishmërisë parandaluese dhe vepruese në rajon.
Ajo tha se Kosova ka investuar në fuqizimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse, përmes rritjes së personelit, pajisjeve dhe armatimit, me synimin për të garantuar integritetin territorial dhe për t’i vënë këto kapacitete në dispozicion të vendeve aleate.
Në përfundim të fjalimit, presidentja Shiroka-Pula shprehu gatishmërinë e Kosovës për të organizuar takimin e ardhshëm të Procesit Brdo-Brijuni.
Ajo tha se organizimi i këtij takimi në Kosovë do të ishte një mundësi për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal, si dhe për riafirmimin e përkushtimit të përbashkët ndaj integrimit evropian.
Më poshtë po sjellim fjalimin e saj të plotë para përfaqësuesve nga vendet tjera pjesëmarrëse në samit:
Është kënaqësi e veçantë të jem, për herë të parë, pjesë e Procesit Brdo-Brijuni, që nga zgjedhja ime Presidente e Republikës së Kosovës, muajin e kaluar.
Projekti evropian lindi nga vendosmëria për t’i kapërcyer ndarjet historike dhe për ta ndërtuar të ardhmen mbi paqen, bashkëpunimin dhe solidaritetin. Kjo ide mbetet po aq e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor.
Procesi Brdo-Brijuni është mundësi për të riafirmuar se e ardhmja e rajonit tonë lidhet me bashkëpunimin dhe integrimin evropian.
Bashkëpunimi rajonal kërkon respekt, barazi, përgjegjësi dhe, para së gjithash, besim të ndërsjellë. Të jemi të barabartë në mesin e të barabartëve është dëshmi e respektit ndërmjet shteteve dhe popujve.
Në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, më 16 nëntor në Bruksel, u diskutua e ardhmja evropiane e rajonit, por Kosova nuk u ftua. Në të njëjtën ngjarje u interpretua një këngë nacionaliste që vë në pikëpyetje shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Është paradoksale që, në një aktivitet kushtuar zgjerimit dhe vlerave evropiane, Kosovës t’i mohohet përfaqësimi institucional dhe të lejohen mesazhe që cenojnë realitetin e saj shtetëror.
BE-ja nuk mund të ndërtojë unitet duke toleruar simbole dhe praktika që nxisin ndarje, por as të mjaftohet me një distancim formal.
Një Ballkan Perëndimor më i integruar është një Evropë më e fortë. Integrimi evropian nuk mund të jetë selektiv. Të gjitha vendet duhet të përparojnë paralelisht drejt anëtarësimit, mbi bazën e meritave dhe kritereve, pa lënë askënd prapa.
Kosova nuk kërkon privilegj, por barazi, respekt dhe trajtim të drejtë. Për të, integrimi evropian është zgjedhje strategjike dhe orientim i qartë shtetëror. Zvarritja e procesit dhe mungesa e përparimit drejt statusit të vendit kandidat dëmtojnë besimin e qytetarëve në Kosovë dhe në perspektivën evropiane të rajonit.
Kosova i ka përmbushur përgjegjësitë e saj dhe pret integrim mbi bazën e meritave dhe kritereve të barabarta.
Integrimi evropian duhet të ndihet edhe në jetën e përditshme. Heqja e tarifave të roamingut ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të jetë hap konkret drejt komunikimit më të lehtë mes njerëzve dhe bizneseve.
Duhet të përparojmë më shpejt edhe në integrimin ekonomik rajonal. Plani i Rritjes ofron mundësi për reforma, investime dhe vende të reja pune, me trajtim të barabartë për të gjitha vendet.
Të nderuar të pranishëm,
Derisa vazhdojmë të qëndrojmë në rrugën evropiane, jemi dëshmitarë të ndryshimit të kontekstit global të sigurisë. Agresioni rus në Ukrainë ka shtuar nevojën për gatishmëri parandaluese dhe vepruese. Përgatitemi për më të keqen, duke dëshiruar që ajo të mos ndodhë.
Kosova ka investuar në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse, në personel, pajisje dhe armatim, për të siguruar integritetin territorial dhe për t’i vënë kapacitetet e saj në dispozicion të vendeve aleate.
Jemi të gatshëm që, së bashku me aleatët, të vazhdojmë të ndërtojmë një trajektore paqeje, në shërbim dhe interes të të gjithë qytetarëve të rajonit, pa dallim.
Në përmbyllje, dëshiroj të shpreh gatishmërinë e Republikës së Kosovës që të jetë nikoqire e takimit të ardhshëm të Procesit Brdo-Brijuni. Do të ishte nder për Republikën e Kosovës t’ju mirëpriste në takimin e ardhshëm. Besoj se ky takim do të forconte dialogun dhe bashkëpunimin tonë rajonal, si dhe përkushtimin e përbashkët ndaj integrimit evropian. Faleminderit!


