GJKKO: Gjyqi Meta-Kryemadhi mund të vijojë pa avokatë

Më datë:

Gjyqi në ngarkim të ish presidentit Ilir Meta dhe ish deputetes Monika Kryemadhi, do të zhvillohet pa praninë e avokatëve në rast se ata nuk paraqiten në seancën e 29 tetorit.

Këtë të enjte, dështoi seanca e radhës për shkak të mungesës së mbrojtësve, të cilët gjykata i gjobiti dhe në përfundim tha se duke u bazuar edhe në praktika të gjykatës së Strasburgut, gjykimi mund të vijojë edhe pa mbrojtjen.

Në seancë, Meta por edhe Kryemadhi, shprehën gatishmërinë e vijimit të procesit duke u mbrojtur vetë, në mënyrë që të mos ketë më ndërpreje.

Të njëjtin qëndrim si në seancë, ish presidenti Meta, e mbajti edhe në një postim në rrjetin social Facebook, por duke ngritur dyshime mbi qëllimin e konfliktit GJKKO-avokat.

“Ajo që ende nuk po kuptoj është se përse u anulua seanca e sotme gjyqësore, kur Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, ma ka njohur këtë të drejtë, që unë ia kam shprehur verbalisht dhe zyrtarisht me shkrim trupit gjykues, para çdo seance.

Dhe përse duhej të mos zhvillohej sot gjyqi kur prokurori ishte, kur unë isha (nuk kam munguar kurrë në asnjë seancë) dhe kam të drejtën të mbrohem pa avokat, dhe kur trupi gjykues ishte aty.

Por këtu nuk është thjesht problemi i cenimit të lirive të Ilir Metës, pasi unë kam edhe privilegjin ta kem emrin ILIR, por fakti se ky konflikt po prodhon pasoja shumë të rënda. Nga 1 shtatori 2026 dhe deri më tani, janë shtyrë rreth 600 seanca gjykimi, nga të cilat vetëm 6 janë të Ilir Metës”, shkruan Meta.

Prej fillimit të shtatorit, dhjetra gjyqe kanë dështuar në GJKKO, pasi avokatët e bojkotojnë atë për shkak të rregullores së saj të re që u ndalon pajisjen celulare në seancë.

Mes proceseve që u fut në ngërç është ai ndaj Metës e Kryemadhit që po gjykohen për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Alarm shëndetësor në Francë, zbulohet rasti i parë i virusit Shamonda te njeriu

Autoritetet shëndetësore franceze raportuan të enjten rastin e parë...

Mesazhe kërcënuese ndaj pedagogëve? Policia: Po tentohet përhapja e panikut

Policia e Shtetit ka bërë me dije sot më...

Goditje pasurive të krimit, SPAK bllokon 77 mln lekë

 Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestruar pasuri me vlerë...

Plani i Rritjes për Shqipërinë, Marta Kos vlerëson përmbushjen e reformave

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka...