Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër ka zhvilluar një takim të fokusuar në dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor, me pjesëmarrjen e një prej bashkëpunëtorëve të tij, Karl Hans Heinrich Weber.
Kryetari i komunitetit, Fehm efendi . Abazi, priti Weberin, i cili shoqërohej nga Azir Aziri, imam në xhaminë IKRE në Thun. Sipas njoftimit të publikuar nga Komuniteti Musliman Shqiptar, takimi shërbeu për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit dhe hartimin e nismave të përbashkëta për forcimin e dialogut ndërmjet komuniteteve fetare dhe kulturore në Zvicër.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte thellimi i marrëdhënieve mes komuniteteve fetare dhe institucioneve shtetërore zvicerane, me synim krijimin e hapësirave më të mëdha për mirëkuptim, bashkëpunim dhe bashkëjetesë.
Në përfundim të takimit, Fehm ef. Abazi shprehu mirënjohjen për vizitën e dytë të Weberit, duke vlerësuar angazhimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme ndaj Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër.
Karl Hans Heinrich Weber ka një eksperiencë të gjatë profesionale në fushën e teknikës dhe informatikës. Ai ka shërbyer për vite me radhë në Ushtrinë Zvicerane dhe në strukturat federale, ku ka mbajtur role si nënoficer profesionist, mësimdhënës specialist dhe drejtues projektesh në sektorin e teknologjisë ushtarake.
Gjatë karrierës së tij në Shërbimin Informativ Ushtarak, Weber ka shërbyer edhe në Ambasadën e Zvicrës në Washington, D.C., në detyrën e shefit të zyrës dhe asistentit të atasheut të mbrojtjes.
Pas daljes në pension, ai vijoi angazhimin profesional në fushën e informatikës, ndërsa ndoqi edhe studime teologjike në Universitetin e Fribourgut.
Prej vitit 2018, Weber është angazhuar në fushën e dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor, duke kontribuar në nisma që synojnë forcimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Zvicër.


