Presidenti Bajram Begaj uroi Albin Kurtin për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Në një reagim sot në rrjetet sociale, Begaj përgëzoi qytetarët e Kosovës për zhvillimin e një procesi zgjedhor të qetë, të rregullt dhe demokratik.
Sipas tij, zgjedhjet dëshmuan edhe një herë forcën e institucioneve dhe kulturën demokratike të shtetit të Kosovës.
“Urime Albin Kurti për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Republikën e Kosovës”, shkruan Begaj.
Presidenti theksoi se në këtë fazë është e rëndësishme që të gjitha forcat politike në Kosovë të angazhohen me përgjegjësi dhe frymë konstruktive.
Ai nënvizoi nevojën për dialog dhe kompromis institucional, në funksion të stabilitetit, zhvillimit të mëtejshëm të vendit dhe përmbushjes së aspiratave të qytetarëve të Kosovës.
“Në këtë fazë, është me rëndësi që të gjitha forcat politike të angazhohen me përgjegjësi dhe frymë konstruktive për të garantuar dialogun dhe kompromisin institucional, në funksion të stabilitetit, zhvillimit të mëtejshëm të vendit dhe përmbushjes së aspiratave të qytetarëve të Kosovës”, shprehet Begaj.
Po ashtu, Presidenti theksoi se Shqipëria do të vijojë ta mbështesë Kosovën në rrugëtimin e saj euroatlantik dhe europian.
“Shqipëria do të vijojë të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugëtimit të saj euroatlantik dhe europian”, shkruan Kreu i Shtetit.
Ditën e diel (7 qershor) në Kosovë u zhvilluan zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku sipas KQZ Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit doli e para me 42,91% të votave.


