Një ngjarje e rëndë është zbuluar, këtë të shtunë, 6 qershor, nga autoritetet në fshatin Fushë Mamurras të Kurbinit. 57-vjeçarja V. Sh. Ka rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet se ka vrarë me thikë nënën e saj, 85-vjeçaren D. Sh.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kurbinit ngjarja e rëndë ka ndodhur më 30 prill të këtij viti (2026). Fillimisht rasti është raportuar si një vdekje natyral, më pas nga hetimet është zbuluar se e moshuara kishte humbur jetën si pasojë e plagëve me thikë.
Për këtë rast është proceduar penalisht edhe një mjekje, pasi kjo e fundit e kishte plotësuar aktin si vdekje natyrale dhe nuk raportoi në polici rastin.
“Zbardhet një ngjarje kriminale, vrasje në familje, e ndodhur në fshatin Fushë Mamurras, Kurbin. Dyshohet se ka vrarë nënën e saj me mjet prerës (thikë), vihet në pranga 57-vjeçarja. Procedohet penalisht edhe një shtetase (mjeke), e cila ka plotësuar aktin si vdekje natyrale dhe nuk ka raportuar në Polici rastin”, njofton policia.
Në njoftimin e policisë sqarohet se e moshuara jetonte në të njëjtën banesë me të bijën, e cila vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Autoritete vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe, nëse ka persona të tjerë të përfshirë, për identifikimin dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.


