Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” pritet të mbushet edhe këtë të premte me mijëra protestues, në atë që konsiderohet protesta e gjashtë radhazi kundër projektit të “Zvërnecit” dhe politikave të qeverisë.
Qytetarë nga zona të ndryshme të vendit kanë paralajmëruar pjesëmarrje në tubimin që do të nisë në orën 18:00 para Kryeministrisë. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, anulimin e projektit të debatueshëm në Zvërnec dhe rishikimin e një sërë vendimesh që, sipas tyre, cenojnë interesin publik.
Prej pesë ditësh me radhë, bulevardi kryesor i Tiranës është kthyer në epiqendrën e protestave, ku qytetarët kanë shprehur kundërshtimin e tyre përmes pankartave, thirrjeve dhe marshimeve.
Organizatorët kanë bërë të ditur se lëvizja do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, të cilat përfshijnë anulimin e projekteve të kundërshtuara, transparencë mbi vendimmarrjet qeveritare dhe marrjen e përgjegjësive politike nga ekzekutivi.
Kujtojmë se dje u prezantuan 5 kërkesa nga “Lëvizja e Re Qytetare” për Ramën:
1-Dorëheqjen e Qeverisë
2-Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë!
3-Shfuqizimin e Paketës së Maleve
4-Anulimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura
5-Anulimin e ndryshimin për trashëgiminë kulturore shqiptare.



