I jep sot lamtumira e fundit “Dëshmorit të Atdheut” Enea Mekolli, efektivi i policisë i cili u vra nga Violand Braçellari, gjatë një operacioni të zhvilluar për kapjen e tij në Lozhan të Maliqit.
Homazhet në nderim të tij zhvillohen pranë Qendrës Kulturore të Pogradecit, të cilat zhvillohen nga ora 10:00 deri në 12:00.
Miq e kolegë mes lotësh, janë mbledhur për të shprehur respektin dhe mirënjohjen ndaj sakrificës së tij.
Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të mbahet në orën 14:00 në fshatin Blacë, ku Enea Mekolli do të prehet mes dhimbjes së familjes dhe nderimit të komunitetit.
Xhaxhai i viktimës, teksa ka takuar Presidentin Bajram Begaj, i është drejtuar atij duke i thënë se shteti duhet të marrë masa, pasi po vriten djemtë.
“E latë këtë vend në dorë të kriminelëve. Na mbylli derën, mos i lini kriminelët. Ka pasur tri herë tentativa për ta arrestuar. Duhet të merrni masa, po na vrasin. Bëhuni të zotë. E latë këtë vend në dorë të kriminelëve, po sundojnë kriminelët në çdo cep të Shqipërisë. Nuk dominon policia, por dominon krimi. Na fundosët. Na çuat në fund. Nuk kishte masa mbrojtëse”, i thotë ai me lot në sy.
https://www.facebook.com/policiashtetitshqiptar/videos/1311107427870802


