Përplasjet për Zvërnecin në Kuvend kanë vijuar midis socialistit, Taulant Balla, si dhe kreut të partisë “Mundësia”, Agron Shehaj.
Balla, gjatë fjalës së tij, u shpreh ndaj opozitarëve se secili prej tyre pretendohet të jetë “pronari i protestës” që zhvillohet në kryeqytet për ditë me radhë. Përpos këtyre, socialisti i cilësoi protestat si të drejta dhe qytetare.
“Jam shumë i sigurt se ti kur e ke provuar, ti nuk ke mbledh 30 vetë. Thirre ti një protestë dhe po i mblodhe dot ti vetë 30 vetë. Vjen këtu ti flet në emër të protestuesve. Tani se ta marrim vesh kush është pronari i protestës? Del ti thua unë jam pronari i protestës. Del Tik Llapa thotë jam unë pronari i protestës. Del Arlind Sy Madhi thotë jam unë pronari i protestës. Tani ta marrim vesh kush është? Protesta është e njerëzve. Ay ka plot djem e vajza të cilët disa protestojnë për pelikanët, shumë e drejtë, disa protestojnë për diçka tjetër, shumë e drejtë”, tha ai.
Ai shtroi dhe akuza ndaj Shehajt, duke e cilësuar si një “gjobaxhi” ndaj bizneseve private në vend.
“Ti çfarë dreqin ke? Ti je një hajdut, ti je një hajdut, je një gjobaxhi që i vihesh bizneseve nga mbrapa dhe u thua bizneseve nuk ta përmend emrin po me sill kaq lekë. I thua televizione… ti, ti, gjobaxhi, dëgjo, i thua televizioneve pse nuk më nxirrni mua në televizor. Ti re, gjobaxhi, kaq kam me ty unë”, tha ai.
Socialistët e pritën me duartrokitje këtë fjalim të Ballës, por Shehaj tentoi të marrë fjalën në foltoren e Kuvendit, gjë që nuk u lejua.
Mes dy ligjvënësve pati një përplasje, teksa Shehaj filmonte Ballën dhe i kërkonte sqarime për akuzat e bëra.


