Prokuroria e Posaçme ka vendosur zhbllokimin e llogarive bankare të shoqërisë “Albania Land Development”, në kuadër të hetimeve të SPAK për një skemë të dyshuar tjetërsimi pronash në zonën e Zvërnecit.
Më herët, SPAK kishte vendosur sekuestrimin e llogarive bankare të kompanisë, që sipas hetimeve arrinin në rreth 200 milionë dollarë dhe ndodheshin në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT).
Në qendër të hetimit ndodhen disa persona dhe subjekte të lidhura me projektet e zhvillimit të pronave në zonën bregdetare të Zvërnecit.
Mes tyre përmendet administratori i kompanisë Redi Struga. Sipas të dhënave, Struga ka shërbyer nëpërmjet kompanisë “Albania Land Development”, si ndërmjetës mes kompanisë dhe dy vëllezërve Ramez dhe Mohammad al-Khayyat investitorë nga Katari, të përfshirë në projektet e zhvillimit në zonë.
Hetimet e SPAK përfshijnë gjithashtu edhe Artur Shehun, i cili sipas burimeve hetimore jeton në Shtetet e Bashkuara dhe dyshohet se ka luajtur rol drejtues në skemën e pretenduar të tjetërsimit të pronave.


