Drejtoria Vendore e Policisë Fier gjatë muajit maj ka evidentuar 264 vepra penale të ndryshme, prej të cilave janë zbardhur 260 prej tyre ose 98.4 %.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Erion Ahmeti, në një konferencë për shtyp mbi rezultatet e punës së policisë për muajin maj tha se “në këto vepra penale janë identifikuar 268 autorë të dyshuar si të përfshirë, nga të cilët 69 janë (arrestuar/ndaluar), 190 janë proceduar në gjendje të lirë si dhe 9 të tjerë janë shpallur në kërkim”.
Sipas tij, krahasuar me muajin e kaluar, janë evidentuar 90 vepra penale më shumë.
“Gjatë kësaj periudhe janë finalizuar 10 operacione policore, si rezultat i të cilave janë arrestuar/ndaluar 14 persona. Janë trajtuar në total 161 konflikte, nga të cilat 122 konflikte për motive të dobëta dhe 39 konflikte për motive pronësie. Për këto raste janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme dhe janë proceduar autorët e dyshuar”, tha Ahmeti.
Sa i përket sigurisë rrugore, Ahmeti tha se me rritjen e fluksit të lëvizjes së mjeteve, është intensifikuar monitorimi inteligjent i akseve rrugore nëpërmjet mjeteve teknologjike.
“Si rezultat, strukturat e policisë rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë kanë vendosur 11.132 masa administrative ose 4.985 masa më shumë se një muaj më parë, ku pjesa më e madhe e tyre, është për ato shkelje që ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e sigurisë rrugore”, vuri në dukje ai.
Gjatë këtij muaji janë evidentuar 14 aksidente rrugore, si pasojë e të cilëve kanë humbur jetën 2 shtetas, është plagosur rëndë 1 shtetas si dhe janë plagosur lehtë 13 të tjerë.
Gjithashtu në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore nga strukturat e Policisë Rrugore janë proceduar penalisht 59 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në mënyrë të pa rregullt, nga të cilët. janë arrestuar/ndaluar 34 shtetas, ndërsa 25 janë hetuar në gjendje të lirë
Kreu i Policisë së Fierit shprehu angazhimin maksimal për të parandaluar dhe luftuar paligjshmërinë në çdo drejtim, duke ftuar qytetarët të adresojnë çdo problematikë që është në kompetencën e policisë, çdo sjellje të pahijshme të punonjësve të policisë, apo të neglizhencës së tyre, në përmbushje të detyrës.


