Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, priti sot në zyrën e tij me rastin e 1 Qershorit, një grup fëmijësh nxënës të shkollës 9-vjeçare “1 Maji”.
Gjatë bisedës me ta, Hita uroi fëmijët për 1 Qershorin, teksa shtoi se punonjësit e policisë do të jenë gjithmonë pranë tyre.
“Ju jeni e ardhmja e vendit tonë dhe arsyeja pse ne punojmë çdo ditë për një Shqipëri më të sigurt. Dëshira jonë është që ju të rriteni të lumtur, të shëndetshëm, të arsimuar dhe të ndiheni gjithmonë të mbrojtur”, u tha Hita fëmijëve.
“Si prind dhe si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ju siguroj se punonjësit tanë do të vazhdojnë të jenë pranë jush, duke u angazhuar çdo ditë për sigurinë tuaj në shkollë, në rrugë, në komunitet, si dhe në internet, ku kujdesi dhe mbrojtja janë po aq të rëndësishme”, theksoi ai.
“Mos hezitoni kurrë të na zgjatni dorën kur keni nevojë për ndihmë, këshillë apo mbështetje. Punonjësi i Policisë është dhe do të jetë gjithmonë pranë jush, si një mik i besuar. Në këtë ditë të veçantë për ju, ju uroj nga zemra gëzuar festën dhe paçi gjithmonë diell në rrugëtimin e jetës suaj!”, inkurajoi Hita fëmijët.


