Tre persona janë plagosur në një sulm me thikë në stacionin e trenit në Winterthur, një qytet në veri të Zvicër, pranë zonës së Cyrihut. Sipas policisë kantonale të Cyrihut, ngjarja ndodhi rreth orës 08:30 të mëngjesit, kur një burrë sulmoi disa persona në ambientet e stacionit të frekuentuar hekurudhor.
Autoritetet konfirmuan se i dyshuari është një shtetas zviceran 31-vjeçar, i cili u arrestua menjëherë pas sulmit nga forcat e rendit. Gjendja e të plagosurve nuk është bërë ende plotësisht e ditur, por fillimisht u raportua për katër persona të lënduar, ndërsa më pas policia e korrigjoi numrin në tre. Winterthur është një nga stacionet më të ngarkuara në rajon dhe ngjarja ka shkaktuar panik mes udhëtarëve, përfshirë edhe nxënës shkollash që ndodheshin në zonë në momentin e sulmit. Dëshmitarë okularë thanë se njerëzit kanë vrapuar për t’u larguar nga vendngjarja menjëherë pas incidentit.
Sipas disa dëshmive të raportuara nga mediat ndërkombëtare, sulmuesi është dëgjuar duke bërtitur fraza fetare gjatë sulmit, por policia zvicerane thekson se motivet e ngjarjes mbeten ende nën hetim dhe nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Policia Kantonale e Cyrihut ka njoftuar se hetimet po vijojnë për të sqaruar rrethanat dhe arsyet që çuan në sulm.


