Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi mori pjesë në Forumin e Komunikimeve Digjitale dhe Medias organizuar nga Institutit Ndërkombëtar i Komunikimeve (IIC), mirëpritur nga Presidenti i ANCOM, Valeriu Zgonea.
Forumi i organizuar në Bukuresht, Rumani, u hap me një tryezë të rrumbullakët mëngjesi, me përfaqësues të lartë të rregullatorëve nga Rumania, Kroacia, Anglia, Moldavia, Lituania etj., ku u ndanë praktikat më të mira të rregullimit në epokën digjitale.
Tryeza u drejtua nga Lynn Robinson, Drejtore e Përgjithshme i Institutit Ndërkombëtar të Komunikimeve dhe Valeriu Zgonea, President i Autoritetit Kombëtar për Menaxhimin dhe Rregullimin në Komunikime (ANCOM), Rumani.
Në një postim në rrjetet sociale kryetarja e AMA-s u shpreh se “ndarja e përvojave mes kolegëve mbi sfidat që po kalon tregu mediatik dhe vetë rregullatorët janë shumë të dobishme për planet tona të punës”.
“Diskutuam për transformimin digjital në komunikim, mbrojtjen e publikut, përdorimin duhur i Inteligjencës Artificiale dhe platformave të shpërndarjes së videove etj”, tha Krasniqi.
Forumi i Komunikimeve dhe Medias Digjitale, IIC, ka mbledhur bashkë në Bukuresht , Rumani, rregullatorë dhe politikëbërës në fushën e komunikimit, përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile nga vende të ndryshme të Europës.


