Shqipëria është kualifikuar në finalen e madhe të “Eurovision 2026”, pasi këngëtari Alis siguroi një vend mes finalistëve me interpretimin e këngës “Nân”.
Artistit nga Shkodra iu desh të performonte në natën gjysmëfinale të festivalit europian të këngës, i 13-ti në radhë, një numër që mesa duket i solli fat. Ai dha një performancë energjike dhe emocionuese në skenën e madhe të Vienës dhe në krah kishte edhe aktoren Rajmonda Bulku, element që tërhoqi vëmendjen e publikut dhe fansave të Eurovision-it.
Alis përfaqësoi Shqipërinë në këtë edicion të Eurovision-it pasi triumfoi në Festivalin e 64-t të Këngës në RTSH me këngën “Nân”, duke marrë 152 pikë nga kombinimi i votave të jurisë dhe publikut. Kënga është vlerësuar për interpretimin vokal, stilin artistik dhe mesazhin emocional që përcjell.

Pas kualifikimit në finale, mbështetësit shqiptarë jashtë vendit mund të votojnë për Shqipërinë, që pse jo, këtë radhë të fitojë edhe çmimin e madh.
Finalja e Eurovision Song Contest 2026 do të zhvillohet më 16 maj 2026, në orën 21:00.
Në përfundim të televotimit dhe vlerësimit të jurive, Shqipëria u shpall mes 10 shteteve që kalojnë në Finalen e Madhe. Ata do t’u bashkohen 10 shteteve të kualifikuara nga nata e parë dhe vendeve të “Big 5” (+ shteti mikpritës).
10 shtetet e kualifikuara
Shqipëria – Alis – Nân
Australia – Delta Goodrem – Eclipse
Bullgaria – Dara – Bangaranga
Çekia – Daniel Zizka – CROSSROADS
Danimarka – Søren Torpegaard Lund – Før vi går hjem
Malta – AIDAN – Bella
Norvegjia – JONAS LOVV – YA YA YA
Qipro – Antigoni – Jalla
Rumania – Alexandra Căpitănescu – Choke me
Ukraina – LELÉKA – Ridnym


