Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Dibra se sfida kryesore për zhvillimin e bujqësisë nuk lidhet më me mungesën e financimit, por me cilësinë e projekteve dhe angazhimin e vetë fermerëve dhe pushtetit vendor.
Në një takim me fermerët, në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, Rama theksoi rëndësinë e rritjes së investimeve dhe përmbushjes së standardeve për tregun e Bashkimit Evropian.
“Nuk është më problemi tek paratë. Duhet ta kuptojnë të gjithë ata që duan të punojnë me tokën, të investojnë në tokë apo të hapin pika grumbullimi. Sot kemi nevojë të prodhojmë jo vetëm mollë dhe qershi, por edhe nënprodukte, t’i përpunojmë ato si reçel, komposto etj., për t’u rritur vlerën”, u shpreh Kryeministri.
Ai nënvizoi se produktet e klasit të parë duhet të eksportohen, ndërsa ato të klasit të dytë dhe të tretë duhet të përpunohen për të rritur vlerën e tyre në treg.
“Për të hapur një pikë grumbullimi, një pikë përpunimi, një baxho apo një agroturizëm, nuk është më problemi tek paratë. Problemi është thjesht tek projekti dhe aplikimi, sepse fondet janë në dispozicion”, tha Rama.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se shumë shpejt do të firmoset një marrëveshje me bankat dhe Bankën e Shqipërisë për krijimin e një linje kredie me interes të ulët dhe me garanci shtetërore për sipërmarrësit në bujqësi.
“Brenda pak ditësh, në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit tjetër, do të vendosim në dispozicion një linjë kredie për të gjithë ata që duan të zgjerojnë ose të dyfishojnë sipërmarrjen e tyre”, u shpreh ai.
Rama u ndal edhe te roli i bashkive, duke theksuar se ato duhet të jenë më aktive në mbështetje të fermerëve dhe zhvillimit rural.
“Askush nuk ka më alibi, as kryetarët e bashkive. U kam thënë qartë: nëse nuk realizoni të paktën 10 agroturizma përmes paketës së maleve dhe nuk krijoni të paktën 3 shoqëri të bashkuara, mos pretendoni të kandidoni më. Bashkitë nuk janë vetëm për rrugë, ndriçim dhe pastrim, por duhet të jenë aleatët e fermerëve”, deklaroi Kryeministri.
Ai theksoi potencialin e madh të Dibrës në bujqësi dhe turizëm, duke nënvizuar ndikimin pozitiv të Rrugës së Arbrit në rritjen e aksesit dhe zhvillimit ekonomik të zonës.
“Pasuria e Dibrës është tek toka, tek bujqësia dhe tek turizmi. Me Rrugën e Arbrit, kjo zonë bëhet më e aksesueshme si për vizitorët nga Tirana, ashtu edhe për ata që vijnë nga jashtë vendit”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se përfituesit e parë të paketës së maleve do të kenë lehtësi të konsiderueshme fiskale.
“500 të parët që do të marrin lejen për agroturizëm do të jenë për 10 vjet pa asnjë taksë. Kjo është e përcaktuar me ligj”, u shpreh ai.
Rama theksoi se bashkitë duhet të nxisin krijimin e sipërmarrjeve në fshat për prodhimin, grumbullimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore, në mënyrë që banorët ruralë të sigurojnë mirëqenie dhe jo thjesht mbijetesë.


