Inspektori i Lartë i Drejtësisë zhvilloi procedurën për përzgjedhjen e Zëvendësinspektorit të Lartë të Drejtësisë, në përputhje me ligjin nr. 115/2016, i ndryshuar, dhe vendimin nr. 65, datë 09.11.2023.
Pas shqyrtimit të kandidaturës së paraqitur dhe zhvillimit të votimit të fshehtë nga Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve, kjo e fundit vendosi t’i propozojë Inspektorit të Lartë të Lartë të Drejtësisë, kandidaturën e znj. Elena Pelushi për emërim si Zëvendësinspektor i Lartë i Drejtësisë.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, duke marrë në konsideratë mendimin këshillues të Mbledhjes së Përgjithshme të Inspektorëve, vendosi emërimin e znj. Pelushi në këtë detyrë.
Zëvendësinspektori i Lartë i Drejtësisë, znj. Elena Pelushi, ka përfunduar në vitin 2002 Shkollën e Magjistraturës, profili prokuror. Në vijim, ajo ka ushtruar funksionin e prokurorit deri në shkurt të vitit 2021, kur është komanduar pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për të ushtruar detyrën e inspektorit magjistrat.
Gjatë ushtrimit të funksionit si prokuror, znj. Pelushi është angazhuar në një sërë trajnimesh profesionale të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës, Prokuroria e Përgjithshme, si dhe institucione e organizma të ndryshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Ajo zotëron gjuhën frënge, italiane dhe angleze.
Zëvendësinspektori i Lartë i Drejtësisë ushtron të gjitha kompetencat e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në mungesë të këtij të fundit, ose kur vendi i tij është përkohësisht i lirë, me përjashtim të kompetencave organike, që lidhen me nxjerrjen e urdhrave për mbarëvajtjen e punës, verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve dhe inspektimin, si dhe garantimin e zbatimit të rregullave etike dhe profesionale nga inspektorët dhe personeli administrativ. Zëvendësinspektori i Lartë i Drejtësisë qëndron në detyrë për një periudhë dyvjeçare, me të drejtë riemërimi.


