Ministri i Financave, Petrit Malaj, mori pjesë në Takimet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Grupit të Bankës Botërore, të cilat u zhvilluan në datat 13-18 Prill 2026, në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Shqipëria u përfaqësua në këto takime nga një delegacion i nivelit të lartë, ku merrnin pjesë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, si dhe drejtues të tjerë të lartë të Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë. Qëllimi i këtyre takimeve ishte diskutimi në nivel ndërkombëtar i zhvillimeve ekonomike globale dhe çështjeve me rëndësi ndërkombëtare, si perspektiva e rritjes, stabiliteti financiar dhe reduktimi i varfërisë.
Malaj zhvilloi një sërë takimesh me drejtues të lartë të FMN dhe BB, si Drejtorin e Departamentit Europian në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Alfred Kammer; Shefin e ri të Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Diego Cerdeiro; Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë pranë Bankës Botërore, Matteo Bugamelli dhe Zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore, Antonella Bassani.
Gjatë këtyre takimeve u diskutua mbi zhvillimet kryesore ekonomike dhe financiare të vendit tonë dhe pritshmëritë për të ardhmen, politikat që qeveria shqiptare po ndërmerr për ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar, si dhe mbi bashkëpunimin mes qeverisë shqiptare dhe dy institucioneve financiare ndërkombëtare.
U theksua se Shqipëria ka ndërtuar një rezistencë të lartë ekonomike përballë krizave të fundit globale dhe kjo është reflektuar në ruajtjen e rritjes ekonomike dhe stabilitetin e sektorit financiar.
Nga ana e tij, Malaj bëri një prezantim të treguesve kryesorë makroekonomikë dhe financiarë, duke theksuar se ekonomia shqiptare është rritur me 3.8 % gjatë vitit 2025 dhe parashikohet të rritet me 4 % në vitin 2026, në një kohë që papunësia ka zbritur në nivelin historik prej 8.3% në vitin 2025 dhe pagat mesatare janë rritur me 8.7%.
Nga ana tjetër, investimet e huaja direkte kanë vijuar një ecuri pozitive, duke arritur në 1.63 miliardë euro në vitin 2025, me një rritje vjetore prej 3.4%.
Ministri vuri në dukje faktin se përmes vijimit të konsolidimit fiskal dhe menaxhimit të kujdesshëm të financave publike, borxhi publik ka vijuar trajektoren rënëse, duke arritur në 52.9% të PBB-së në fund të vitit 2025, nga 65% në vitin 2019. Ndërkohë, të ardhurat buxhetore shënuan një rritje vjetore prej 6.2%, duke arritur në rreth 754.6 miliardë lekë.
Ministri theksoi se këta tregues konfirmojnë një ekonomi të qëndrueshme, me baza të forta dhe me potencial të qartë për rritje të mëtejshme në afatin e mesëm, në një kohë që janë shënuar edhe përmirësime të vlerësimit të vendit nga institucione ndërkombëtare të vlerësimit të kreditit si Standard and Poor’s dhe Moody’s, duke reflektuar besimin në stabilitetin ekonomik dhe perspektivën pozitive të vendit.
Malaj vlerësoi partneritetin e qëndrueshëm me FMN dhe Bankën Botërore, si një mbështetje e rëndësishme për avancimin e reformave ekonomike, forcimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe zbatimin e projekteve me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit. Ministri shprehu gatishmërinë për të vijuar dhe thelluar këtë bashkëpunim të frytshëm, në funksion të një ekonomie më të fortë, më konkurruese dhe më pranë standardeve të Bashkimit Europian.


