Përfaqësues të sektorit të transportit hekurudhor dhe ekspertë të fushës zhvilluan një trajnim të përbashkët të organizuar nga Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit, me mbështetjen e Transport Community Treaty dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit shkëmbyen ide, përvoja dhe praktika mbi zhvillimin dhe modernizimin e sistemeve inteligjente të transportit, duke u ndalur te sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e menaxhimit të këtij sektori.
Në tryezat e diskutimit, theksi u vu te roli i Planeve Kombëtare të Aksesit (NAP), pikave kombëtare të aksesit dhe institucioneve përgjegjëse, si elementë kyç për organizimin dhe integrimin e sistemeve inteligjente të transportit në përputhje me standardet evropiane.
Qeveria shqiptare synon rikthimin e hekurudhës në një alternativë moderne dhe konkurruese në transportin kombëtar dhe rajonal. Buxheti i vitit 2026 parashikon rreth 1.3 miliardë lekë investime në këtë sektor.
Projekti kryesor mbetet linja hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas, me gjatësi 50 kilometra, e cila pritet të operojë me pesë trena elektrikë, duke përmirësuar ndjeshëm lidhjen mes kryeqytetit, portit kryesor dhe aeroportit.
Një tjetër projekt strategjik është linja Vorë-Hani i Hotit, me një vlerë prej 360 milionë eurosh, ku 30% e financimit do të sigurohet në formë granti nga Bashkimi Europian. Ky investim konsiderohet kyç për lidhjen e Shqipërisë me Malin e Zi dhe integrimin në rrjetin evropian TEN-T.
Investime parashikohen edhe ne projekte të tjera si linjat Durrës-Rrogozhinë (34 km), Rrogozhinë-Pogradec (140 km), Rrogozhinë-Vlorë (140 km), si dhe ndërtimi i linjës së re Vlorë-Aeroporti i Vlorës (15 km).
Gjithashtu, parashikohet ndërtimi i lidhjes hekurudhore Sukth-Porto Romano, e cila do të mundësojë integrimin e portit të ri tregtar me rrjetin kombëtar hekurudhor.
Këto investime synojnë modernizimin e transportit hekurudhor në vend dhe forcimin e lidhjeve rajonale, në përputhje me standardet dhe objektivat e integrimit evropian.


