Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka shkuar këtë të premte, më 17 prill, te pallati i djegur para pak ditëve i kompleksit “Arlis” pranë “Farmacisë 10” në kryeqytet, ku është takuar me banorët.
Përveç Koçiut kanë qenë të pranishëm në këtë takim edhe përfaqësues të firmës “Arlis Construction”.
Ky është takimi i parë që është zhvilluar me banorët e pallatit të djegur, pasi të paktën deri ditën e djeshme ata thanë që s’kishin patur kontakte.
Banorëve do iu kërkohen dokumentet e pronësisë. Nuk dihet sa kohë do zgjasë kjo periudhë e dorëzimit të tyre, pasi dokumentet origjinale që kanë patur banorët nuk i kanë më sepse çdo gjë që kishin në apartamentet e tyre është bërë shkrumb e hi, siç vihet re edhe nga këto pamje, por do nxjerrin dokumentet e reja.
Banorët i kanë kërkuar zv.kryeministres Koçiu një mundësi për strehim sepse mbeten ende tek të afërmit e tyre pas ngjarjes. Koçiu iu tha atyre se do jetë pushteti vendos që do shohë mundësinë e një bonusi për strehimin dhe i garantoi ata se do të mbështeten derisa të përfundojë procesi i rindërtimit të pallatit.
Një ditë pas shkrumbimit të pallatit, pati një reagim zyrtar nga vetë kompania “Arlis” që ndërtoi kompleksin.Kompania tha se nuk mban asnjë lloj përgjegjësie ligjore, por megjithatë do të rindërtojë apartamentet e djegura.
Më 15 prill, reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale tha se godina e dëmtuar do të rindërtohet plotësisht nga vetë ndërtuesi, duke theksuar se, sipas të dhënave paraprake, shkaku i zjarrit nuk lidhet me cilësinë e ndërtimit.
Ditën e sotme, Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masën “detyrim” paraqitje për 4 të arrestuarit.


