Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Elbasanit, me rastin e festës tradicionale të Ditës së Verës.
Berisha uroi banorët e Elbasanit dhe gjithë shqiptarët për Ditën e Verës, të cilën e cilësoi si një nga festat më të lashta që simbolizon shpresën dhe ripërtëritjen.
“Së pari, qytetarëve dhe banorëve të Elbasanit, sot si kryeqyteti i festës për mbarë kombin, u uroj gëzuar Ditën e Verës, festën më të lashtë jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të kombeve të tjera. Është një ditë që ngjall shpresë dhe frymëzon ripërtëritje”, u shpreh Berisha.
Ai komentoi gjithashtu zhvillimet politike në vend, duke deklaruar se Shqipëria meriton të ketë dyer të hapura drejt së ardhmes dhe integrimit europian.
Sipas Berishës, është e rëndësishme që qytetarët ta festojnë Ditën e Verës në vitet e ardhshme me më shumë shpresë dhe me perspektivë drejt realizimit të aspiratës për integrim në Bashkimin Europian.
Në përfundim, ai theksoi se qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë meritojnë një të ardhme më të mirë dhe një rrugë të hapur drejt Europës.
Në kuadër të kësaj dite festive, Berisha do të vizitojë panairin e organizuar në qytet dhe do të zhvillojë një takim kafeje me disa familje elbasanase, duke u uruar qytetarëve festën.


