Sot, 17 janar, do të dalin para Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, të arrestuarit pas arratisjes së Altin Ndocit.
Janë 8 zyrtarë të pezulluar tanimë që do të njihen me masat e sigurisë. Mes të prangosurve janë zv.shefi i policisë, pesë efektivët që shoqëronin Ndocin në Spitalin e Durrësit, specialistja e informacionit dhe kryeinfermieri.
Të gjithë ata dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
| Zyrtarët e arrestuar |
|---|
| Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve |
| Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve |
| Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve |
| Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve |
| Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve |
| Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve |
| Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve |
| Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës |
Kujtojmë se dje, 16 janar, në pranga u vu edhe drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, ndërsa është ‘shkrirë’ gjithë zinxhiri komandues i këtij institucioni.
Gjykata e Durrësit caktoi masën e “arrestit në shtëpi” për doktoreshën e spitalit të burgut, Ylfete Sema.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit I. C., 48 vjeç, banues në Durrës, ish-drejtor i IEVP Durrës. Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. 19/1, datë 15.01.2026, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu, me të njëjtin vendim, kjo gjykatë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasen Y. S., 66 vjeçe, banuese në Durrës, doktoreshë në IEVP Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, thuhej në njoftimin e djeshëm të policisë. Cërloj dhe Sema, do të njihen me masën e sigurisë në ditët në vijim.
Një ditë pas arratisjes së Ndocit, shërbimi i kontrollit të brendshëm të burgjeve vuri në pranga 8 zyrtarë të Burgut të Durrësit.
Mes të prangosurve janë zv.shefi i policisë, 5 efektivët që shoqëronin Ndocin në Spitalin e Durrësit, specialistja e informacionit dhe kryeinfermieri. Të gjithë ata dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Altin Ndoci, brenda pak muajsh, kishte shkuar disa herë në Spitalin Rajonal të Durrësit, me rekomandim të mjekut të burgut, pas problemeve që kishte shfaqur me veshkat.
Për dërgimin e Ndocit në spital, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka njoftuar më herët se nuk janë respektuar as procedurat për raste të tilla, ndaj është vendosur të shkarkohet i gjithë zinxhiri komandues i Burgut të Durrësit.
Shkelja e procedurave të shoqërimit u vu re dhe nga pamjet e kamerave të sigurisë, ku Altin Ndoci shfaqet teksa zbret nga autoambulanca për t’u futur në spital i shoqëruar nga efektivët, por pa pranga në duar.
Të njëjtën pamje ka edhe kur arratiset, teksa kamerat e kanë fiksuar duke vrapuar sërish i pa prangosur.
Pasi arriti të dalë nga rrethimi i spitalit, ai u largua me një automjet tip Audi ngjyrë e zezë, e cila ishte në pritje të tij. Nga aty, më pas, 39-vjeçari ka lëvizur në drejtim të paditur.
Për kapjen e 39-vjeçarit, policia ka ushtruar kontrolle të shumta në disa qytete, mes tyre Kavajë, Tiranë dhe Elbasan, ku ka dyshime se mund të jetë larguar për t’u fshehur Altin Ndoci.


