Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural zhvilloi sot një dëgjesë publike të përbashkët me Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, ku u diskutua projektligji i ri “Për gjuetinë”.
Në seancë dëgjimore morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, organizata mjedisore, ekspertë të faunës së egër, si dhe përfaqësues nga ministritë dhe bashkitë.
Kryetari i Komisionit të Bujqësisë, Blendi Klosi, tha se, diskutimet sot zhvillohen në një moment kyç, pasi moratoriumi i gjuetisë ka përfunduar, dhe ligji i ri parashtron rifillimin e gjuetisë sipas normave evropiane, duke pasur parasysh mbrojtjen e faunës së egër dhe zhvillimin e turizmit natyror.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkuan kontrolle më të forta dhe ndalim të gjuetisë në zona të ndjeshme.
Përfaqësues të OJF-ve mjedisore ngritën shqetësime për rrezikun e gjuetisë së paligjshme dhe mungesën e kontrolleve efektive.
Elitjon Nezaj, biolog dhe përfaqësues i PPNEA-s, e mbështeti projektligjin por kërkoi qartësim më të madh të përgjegjësive, forcim të kompetencave të pushtetit vendor dhe ndalimin e gjuetisë në zonat kyçe të korridoreve ekologjike. Ai propozoi edhe mundësinë që në zonat e gjuetisë të lejohen kërkime shkencore nga institucionet.
Nga shoqata e shpendëve të egër, Erald Zeka përshëndeti ndalimin e përdorimit të plumbit në municion, por paralajmëroi se gjuetia turistike ka dëmtuar faunën dhe kërkoi që aktualisht të mos lejohen gjuetarë të huaj në territor.
Ndërsa përfaqësuesi e organizatës globale “Katër Putrat”, Ariel Vasili, ngriti çështjen mbi kontrollin veterinar. Sipas tij, projektligji nuk detyron gjuetarët të regjistrojnë kafshët e vrara, as të raportojnë kapje të gabuara të specieve të mbrojtura. Ai kërkoi që ligji të detyrojë gjuetarët të kryejnë kontrolle veterinare për mishin e kafshëve të egra, sidomos për sëmundje si trikinela, përpara se ai të shitet te tregtarët. Gjithashtu theksoi ai, ligji nuk parashikon ngritjen e qendrave të rehabilitimit për kafshët e dëmtuara dhe financimin e tyre.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Mjedisit, Klodiana Marika, deklaroi se sigurimi veterinar është çështje e rregulluar nga ligji veterinar, i cili përfshin databaza dhe kontrolle për kafshët e egra. Ajo theksoi se zonat e mbrojtura dhe korridoret e gjelbra mbeten të ndaluara për gjueti, ndërsa zonat e lejuara do të monitorohen nga njësitë vendore dhe policia. Ndërkohë, ligji parashikon qartë ndalimin e mjeteve të paligjshme të gjuetisë.
Marika përmendi edhe rastin e murtajës në pyllin e Lezhës, e identifikuar falë raportimit të gjuetarëve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes komunitetit të gjuetarëve dhe institucioneve në luftën ndaj zoonozave.
Një nga çështjet e diskutuara ishte kërkesa për ndalim të gjuetarëve të huaj. Përfaqësues të institucioneve deklaruan se një ndalim i tillë mund të konsiderohet diskriminues, pasi edhe gjuetarët shqiptarë ushtrojnë aktivitet jashtë vendit.
Gjatë diskutimeve deputeti i opozitës, Xhelal Mziu, kritikoi moratoriumin duke thënë se ka shkaktuar rritje të numrit të grabitqarëve, si dhe ka cenuar ekuilibrin e faunës. Ai përshëndeti hartimin e këtij ligji të ri që i hap rrugë gjuetisë koherente me standardet e BE-së, ndërsa ngriti shqetësime për penalitetet e larta dhe afatin e shkurtër 10-ditor për ankimime.
Anila Denaj, kryetare e komisionit Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, vuri theksin në rëndësinë e bashkërendimit të bashkëpunimit mes shoqatës së gjuetarëve, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve qendrore dhe vendore për forcimin e kontrollit dhe monitorimit të faunës për mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes së zoonozave, për të cilën kërkoi të shtohet me nen të veçantë në ligj kjo pikë bashkëpunimi.
Pas kësaj dëgjese, komisionet do të vijojë me diskutimin e pr/ligjit edhe me shoqatën e bashkive për përcaktimin e ndryshimeve te mundshme në projektligj, përpara se ai të kalojë në votim.


