Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka uruar sot Ditën e Flamurit dhe 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke theksuar unitetin kombëtar dhe detyrimet e përbashkëta të shqiptarëve kudo që jetojnë.
“Një komb, një gjuhë, një flamur, një qëndrim, të bashkuar në Europë. Kombi duhet dhe nderohet me vepra dhe me përkushtim çdo ditë, në çdo gjë që bëjmë dhe çdo gjë që themi”, shkroi Ahmeti në një postim.
Në mesazhin e tij, Ahmeti nënvizoi rëndësinë e veprës dhe përkushtimit të përditshëm për kombin, si dhe angazhimin e përbashkët për integrimin europian të Shqipërisë deri në vitin 2030.
Ai theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës në partneritet me SHBA dhe BE, si dhe garantimin e barazisë në Maqedoninë e Veriut.
“Të gjithë bashkë e kemi obligim ta ndihmojmë Shqipërinë që të anëtarësohet në Bashkimin Europian më 2030. Të gjithë bashkë e kemi obligim që shtetësinë e Kosovës ta rrumbullakësojmë në partneritet me SHBA dhe BE. Të gjithë bashkë e kemi detyrim barazinë në Maqedoninë e Veriut dhe integrimin europian”, theksoi Ahmeti.
Ahmeti kujtoi përgjegjësinë ndaj shqiptarëve në Luginë, Mal të Zi dhe diasporë.
“Të gjithë bashkë i kemi amanet shqiptarët në Luginë, Mal të zi dhe mërgatë”, theksoi Ahmeti.
“Shqiptarë të mi të dashur, Shqipërisë i qofshim falë, gëzuar Ditën e Flamurit dhe të shpalljes së pavarësisë, e përjetshme Shqipëria. Rroftë kombi ynë, rroftë Shqipëria, lavdi dëshmorëve të kombit!”, përfundoi mesazhin e tij Ali Ahmeti.
Sot shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, festojnë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i udhëhequr nga Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë, një akt historik që vulosi aspiratat shekullore për liri dhe shtet të pavarur.
Nga ngritja e flamurit të Skënderbeut në Krujë më 28 nëntor 1443, te nënshkrimi i Aktit të Pavarësisë më 1912, kjo datë simbolizon qëndresën, unitetin dhe identitetin kombëtar.


