Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sot, 17 nëntor, dënimin me 23 vite burg për shtetasin I.B, i akuzuar për vrasjen me paramendim të Gentian Bejtjes, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2024 në oborrin e banesës së viktimës në fshatin Larushkë të Fushë-Krujës.
Sipas hetimeve, I.B dhe bashkëpunëtorët e tij kanë kaluar rrethimin e jashtëm të banesës dhe kanë qëlluar disa herë me armë zjarri drejt shtetasit G.B, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tij.
Pak minuta pas ngjarjes, në rrugën dytësore të fshatit Hasan, Fushë-Krujë, është konstatuar djegia e një automjeti tip Land Rover, i përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendngjarja.
Hetimet kanë treguar gjithashtu se I.B ka qenë disa herë pranë banesës së viktimës përpara ngjarjes, sipas të dhënave të GPS-it të automjetit të tij, të marrë me qira.
Ekspertiza e ADN-së ka lidhur shtetasin I.B, së bashku me dy persona të tjerë, me automjetin tip Volkswagen Golf, të përdorur për largimin menjëherë pas djegies së Land Rover-it.
Prokuroria e akuzon I.B për tre vepra penale: “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim, për të cilën kërkohet dënim 21 vite burg; “Mbajtje pa leje dhe prodhim armësh dhe municioni”, me 2 vite burg dhe “Falsifikim ose përdorim i dokumenteve të falsifikuara”, me 1 vit burg.
Në përputhje me nenin 55 të Kodit Penal, prokuroria kërkon bashkimin e këtyre dënimeve në një total prej 23 vite burg për I.B, i cili sipas hetimeve ka luajtur rolin e ndihmësit në ekzekutimin e G.B.


