Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se kishte nënshkruar një marrëveshje me Francën për të marrë 100 avionë luftarakë Rafale, ndërsa Kievi kërkon të forcojë kapacitetin ushtarak afatgjatë të vendit për të luftuar pushtimin rus, sipas “Reuters”.
Zelensky ndodhet në një vizitë zyrtare në Paris për të zhvilluar bisedime me presidentin Emmanuel Macron – në një kohë kur sulmet e rënda me dronë dhe raketa ruse ndaj Ukrainës janë rritur, javët e fundit dhe Moska ka raportuar avancime territoriale në rajonin juglindor të Zaporizhias.
Presidenti ukrainas tha për kanalin televiziv francez “TF1/LCI” se kishte porositur 100 avionë luftarakë “Rafale”.
Pallati presidencial “Elysee” konfirmoi numrin e avionëve pa dhënë detaje të menjëhershme – nëse këto do të ishin transferime nga stoqet franceze apo blerje.
Pamjet televizive treguan Macron dhe Zelensky duke nënshkruar një dokument qëllimi për blerjen e pajisjeve mbrojtëse franceze – në aeroportin ushtarak Villacoublay, në jugperëndim të Parisit.
“Një marrëveshje historike është përgatitur gjithashtu me Francën – që parashikon forcimin e aviacionit tonë luftarak, mbrojtjes ajrore dhe aftësive të tjera mbrojtëse”, tha Zelensky në një postim në X.
Ka pasur bisedime për disa javë për të parë se si Franca mund të ofrojë më shumë mbështetje ushtarake për mbrojtjen ajrore të Ukrainës, megjithëse qeveria e Macron po përballet me një paqëndrueshmëri politike dhe buxhetore, duke ngritur pyetje se sa mund të bëjë në të vërtetë Franca.
Macron u zotua muajin e kaluar se do të ofronte më shumë avionë luftarakë “Mirage”, pasi fillimisht premtoi të dorëzonte gjashtë prej tyre, dhe një grup të ri raketash tokë-ajër “Aster 30”, të prodhuara nga grupi evropian MBDA, për bateritë e mbrojtjes ajrore SAMP/T të vëna në funksion nga Ukraina.
Dy zyrtarë të informuar për këtë çështje i thanë “Reuters” se furnizimi i Kievit me avionë luftarakë “Rafale”, të prodhuar nga kompania “Dassault”, do të ishte pjesë e një marrëveshjeje strategjike aviacioni 10-vjeçare.
“Disa mund të vijnë direkt nga stoqet franceze, megjithëse pjesa më e madhe do të ishte afatgjatë dhe pjesë e përpjekjeve të Ukrainës për të rritur flotën e saj afatgjatë në 250 avionë luftarakë, duke përfshirë F-16 të SHBA-së dhe “Gripen” të Suedisë”, thanë burimet.


