Gati 1 miliard euro borxhe tatimore dhe doganore do të fshihen automatikisht për bizneset dhe individët që përfitojnë nga projektligji i ri për fshirjen e detyrimeve të vjetra, sapo të hyjë në fuqi.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, shpjegoi sot më 17 nëntor në Komisionin e Ligjeve se kjo masë ka për qëllim të lehtësojë debitorët dhe të ofrojë mundësi për të përmbushur detyrimet tatimore, pa u përballur më pas me masa të ashpra ekzekutive.
Sipas Malajt, borxhet më të vjetra se 10 vite, që datojnë përpara vitit 2014, do të fshihen plotësisht. Për borxhet me vjetërsi 5 deri në 10 vite, debitorët do të kenë mundësinë të paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026, ose 75% deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa pjesa tjetër e borxhit, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat, do t’u falet.
Për borxhet më të reja, nga 0 deri në 5 vite, do të fshihen gjobat dhe kamatëvonesat, nëse pagesa bëhet 100% deri më 31 dhjetor 2026.
“Ky është shansi i fundit që bizneset të çlirohen nga detyrimet e tyre, përpara se të nisin masat e ashpra të ekzekutimit”, tha Malaj. Ai shtoi se projektligji nuk përfshin falje të detyrimeve për individë që janë nën hetim penal ose për bizneset që kanë vendime gjyqësore të formës së prerë.
Pas përfundimit të periudhës së faljes, administrata tatimore do të nisë mbledhjen e borxheve me forcë, duke përfshirë bllokimin e llogarive bankare, konfiskime dhe shitje të aseteve.
Ministri gjithashtu prezantoi projektligjin për Marrëveshjen e Paqes, që synon rishikimin e pasqyrave financiare dhe reduktimin e normave tatimore për subjektet që kanë përfituar më shumë se 18% fitim të tatueshëm. Përmes kësaj marrëveshjeje, bizneset mund të kërkojnë vetëkorrigjimin e pasqyrave financiare të tre viteve të fundit, duke paguar vetëm 5% tatim mbi fitimin të korrigjuar.
Malaj theksoi se kjo paketë nuk parashikon rritje taksash dhe synon të krijojë një kuadër më transparent, të thjeshtë dhe efikas fiskal, i cili mbështet sektorët prioritarë dhe përforcon administrimin tatimor.
Ky projektligj do të hapë rrugën për një fshirje historike të borxheve të papaguara, duke ofruar një mundësi të veçantë për tatimpaguesit, që të rregullojnë llogaritë e tyre me shtetin pa pasoja të mëtejshme.
Fermerët me NIPT përfitojnë rikompensim 10% të TVSH-së për produktet që shesin
Rreth 110 mijë fermerë me NIPT do të përfitojnë një kompensim prej 10% të TVSH-së për produktet që shesin, sipas njoftimit të Ministrisë së Financave.
Masa synon të mbështesë fermerët duke rritur likuiditetin dhe formalizimin e tregtisë së produkteve bujqësore.
Sipas ministrit të Financave, çdo faturë tatimore që fermerët marrin nga grumbulluesit, përpunuesit apo agrobizneset do të përkthehet në një kompensim të drejtpërdrejtë prej 10% të vlerës së saj.
Fermerët do të marrin këtë shumë dy herë në vit, për periudhat janar-qershor dhe korrik-dhjetor, me afate paraqitjeje në administratën tatimore deri më 31 dhjetor për gjysmën e parë dhe 31 qershor për gjysmën e dytë.
Ministri Arben Malaj theksoi rëndësinë e faturave tatimore. “Në mënyrë që të përfitojnë nga kjo nismë, çdo produkt i shitur tek grumbulluesi, përpunuesi apo agrobiznesi duhet të ketë faturën e mallrave. Kompensimi do të bëhet brenda bazës gjashtë mujore nga administrata tatimore.”
Kostoja e planifikuar e kësaj nisme për vitin e parë arrin 15 milionë euro, duke e bërë atë një nga mbështetjet më të rëndësishme për fermerët shqiptarë në vitet e fundit.


