17.5 C
Tirana

Takimi Trump – al Sharaa, Siria negociata për bashkimin me Marrëveshjet e Abrahamit?

Më datë:

Vetëm disa orë pas takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, presidenti sirian Ahmed al-Sharaa deklaroi për “Fox News” se Siria nuk do të hyjë për momentin në negociata direkte për t’u bashkuar me Marrëveshjet e Abrahamit, por nuk e përjashtoi një zhvillim të tillë në të ardhmen.

“Siria ka një situatë të ndryshme nga vendet që i janë bashkuar këtyre marrëveshjeve”, tha al-Sharaa. “Ne kemi një kufi të përbashkët me Izraelin, dhe që prej vitit 1967, Izraeli ka pushtuar Lartësitë e Golanit.”

Sipas “Haaretz”, Shtetet e Bashkuara po përgatiten të vendosin një prani ushtarake në një bazë ajrore në Damask, si pjesë e një pakti sigurie që Uashingtoni po ndërmjetëson mes Sirisë dhe Izraelit. Ky zhvillim shihet si përpjekje për të stabilizuar rajonin dhe për të hapur rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Në intervistën për “Fox News”, al-Sharaa iu përgjigj edhe pyetjeve për të kaluarën e tij dhe lidhjet e tij me Al-Kaedën. Ai i quajti këto “çështje të së kaluarës”, duke theksuar se gjatë takimit me Trumpin nuk ishte diskutuar asgjë për këtë temë.

“Ne folëm për të tashmen dhe për të ardhmen, për mundësitë e investimeve në Siri, në mënyrë që vendi të mos shihet më si një kërcënim sigurie, por si një aleat gjeopolitik dhe një terren investimesh, veçanërisht në sektorin e gazit”, u shpreh ai.

Kur u pyet nëse kishte ndjenja pendese për sulmet e 11 shtatorit 2001, që shkaktuan vdekjen e 3 mijë amerikanëve, presidenti sirian tha “Ne vajtojmë çdo civil të vrarë. Lufta gjithmonë prek më së shumti njerëzit e pafajshëm.”

Ai shtoi se në atë kohë kishte qenë vetëm 19 vjeç dhe se nuk kishte asnjë rol apo lidhje me ngjarjet, duke theksuar se Al-Kaeda “nuk kishte prani në zonën ku unë jetoja”.

Nga ana tjetër, Donald Trump reagoi në rrjetin e tij “Truth Social”, duke e quajtur “nder” takimin me presidentin e ri sirian dhe duke shtuar se “ai është një përkrahës i madh i paqes në Lindjen e Mesme”. “Të gjithë po flasin për Mrekullinë e Madhe që po ndodh në Lindjen e Mesme”, shkroi Trump. “Një Siri e qëndrueshme dhe e suksesshme është thelbësore për të gjitha vendet e rajonit.”

Në takim ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, i cili sipas burimeve të Ministrisë së Jashtme turke – ishte ftuar personalisht nga presidenti amerikan. Fidan mori pjesë edhe në një takim tjetër ku u trajtuan çështjet problematike në veri dhe jug të Sirisë, si edhe heqja e sanksioneve ndaj Damaskut.

Gjatë vizitës, Departamenti i Thesarit të SHBA njoftoi pezullimin për 180 ditë të sanksioneve të ashtuquajtura “Caesar”, të vendosura ndaj Sirisë për krime lufte ndaj popullsisë. Këto sanksione, të miratuara fillimisht gjatë mandatit të parë të Trumpit në vitin 2020, kishin goditur sektorët strategjikë të vendit, përfshirë energjinë, infrastrukturën dhe ushtrinë.

Emri i tyre vjen nga pseudonimi “Caesar”, një ish-zyrtar sirian që kishte dokumentuar torturat e civilëve nga regjimi i Bashar al-Assadit. Pezullimi aktual, sipas autoriteteve amerikane, nuk përfshin transaksionet midis Sirisë dhe Rusisë apo Iranit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se ky vendim “mbështet përpjekjet e Sirisë për të rindërtuar ekonominë e saj, për të rivendosur marrëdhëniet me partnerët e huaj dhe për të nxitur prosperitetin e paqen për të gjithë qytetarët e saj.”

Takimi Trump–al-Sharaa shihet si një hap i guximshëm në përpjekjen e administratës amerikane për të ripërcaktuar ekuilibrat në Lindjen e Mesme. Ndërsa zyrtarët amerikanë flasin për “investime dhe stabilitet”, mbetet për t’u parë nëse Siria do të arrijë realisht të afrohet me Marrëveshjet e Abrahamit, apo nëse kufiri me Izraelin do të mbetet pengesa më e madhe për paqen e qëndrueshme në rajon.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Makina e djegur, policia: Në mjet u gjetën katër armë zjarri

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, në fshatin...

Agjenti i AMP-së i plagosur në Rinas në gjendje kritike për jetën

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati me armë...

Rinas, atentat ndaj një automjeti – një person humb jetën, një tjetër plagoset

Një atentat i mirëorganizuar. Kështu dyshon policia se bëhet...

Nuredin Dumani ishte nisur për ta vrarë, Elton Kila dëshmon në GJKKO: Nuk e kam besuar

Në sallat e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe...