Koalicioni Shqiptar “Pro Familjes dhe Jetës” ka dorëzuar sot në Presidencë kërkesën për mosdekretimin e ligjit “Për barazinë gjinore”, të miratuar në Kuvend, pesë ditë më parë.
Për Koalicionin, ky ligj është antishqiptar dhe antifamilje, dehumanizon shqiptarët dhe tenton indoktrinimin e fëmijëve në shkolla.
“Ligji “Për barazinë gjinore”, është anti-liri, ligji që fatkeqësisht kaloi nga mazhoranca në Parlamentin e Shqipërisë, me 77 vota. Presidenti është hallka e fundit që institucionalisht ka të drejtë të mos e dekretojë këtë ligj.
Sjellim para tryezës presidenciale një kauzë: kauzën e familjes, kauzën e Shqipërisë. President, mos e dekreto ligjin antifamilje, antiliri, antizot, ligjin për censurën, ligjin për dehumanizimin e shqiptarëve, ligjin që do të indoktrinojë fëmijët shqiptarë nëpërmjet ideologjisë gjinore në shkolla”, deklaroi pastori Akil Pano.
Projektligji është pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka ndaj Bashkimit Evropian dhe synon të përmirësojë kuadrin ligjor të vitit 2008, duke garantuar të drejta të barabarta për gratë dhe burrat në të gjitha fushat e jetës.
Sipas dokumentacionit shoqërues, ligji i ri është harmonizuar me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e Komisionit Evropian, i cili ka kërkuar miratimin e tij brenda vitit 2025 si pjesë e piketave për hapjen e kapitujve themelorë të negociatave.
Për Koalicionin Shqiptar “Pro Familjes dhe Jetës”, ky ligj në formën që ka synon promovimin e një ideologjie të huaj të caktuar që cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë sovranitetin e vendit, shkel rendin kushtetues, parimin e lirisë së ndërgjegjes, lirinë e shprehjes dhe identitetin biologjik e natyror të njeriut. Sipas pastorit, 21 shtete të BE e kanë refuzuar këtë model.


