Në Kuvend sot pritet të diskutohet projektligji për barazinë ligjore. Opozita është shprehur kundër miratimit të këtij ligji, ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se “qëllimi i tij është shkatërrimi i familjes”.
“Sjellin në parlament një ligj të doktrinës post-marksiste, doktrinës më çnjerëzore që qarkullon sot në botë, doktrinë që dallon nga ajo e Marksit, sepse ajo bazohej në shkatërrimin e pronës private, kurse kjo shkon edhe më tej në shkatërrimin e familjes si qeliza, si themeli i një shoqërie”, tha Berisha.
Sipas Berishës “ky ligj, i bazuar fund e krye në ideologjinë e ekstremit të majtë, përmbys Kushtetutën e vendit. Përmbys kodet e vendit”.
“Përmbys trashëgiminë pozitive mijëravjeçarë dhe penalizon, ndëshkon të gjithë ata të cilët duhet të mbrojnë familjen dhe vlerat e saj, binaritetin e saj natyral, biologjik”, tha Berisha.
Kreu i PD-së theksoi se “de facto, në emër të përafrimit me direktivat evropiane, që është edhe mashtrimi më i madh, ligji çon me shpejtësi drejt totalitarizmit”.
“Ky ligj, për shqiptarët, i garantoj se është identik dhe i njëjtë me atë ligj që shpalli Shqipërinë shtet ateist në Kushtetutën më të keqe të vendit, atë të vitit 1974”, tha Berisha.
Berisha shtoi më tej se “në gërmë nuk e shpreh këtë ligji, por ligji duke detyruar ideologjinë e gjinisë me përkatësi të shumëfishtë, e gjinisë në të gjithë diversitetin e vet, ligji de facto dorëzon përfundimisht Kuranin, Biblën, Talmudin në duart e censurës dhe të shtetit”.
“Dhe pas miratimit të këtij ligji, asnjë nga udhëheqësit moralë të besimeve fetare, nuk do mund t’i lexojnë ato ashtu siç janë sepse do konsiderohen se diskriminojnë”, tha Berisha.
Berisha theksoi se “pretendimi se ky është përafrim me BE është mashtrimi më i madh në këtë ligj, sepse direktivat e BE, që citohen në materialin e këtij ligji, në asnjë rresht, në asnjë frazë nuk bëjnë fjalë për shumësi, për gjini me diversitet të gjerë, nuk bëjnë fjalë për përkatësi gjinore të shumëfishta”.
“Ligji, de facto, shënon vendosjen e ekstremit të majtë, pasi pas miratimit të tij zhvlerësohen të gjitha përcaktimet ligjore të mëparshme të Kushtetutës, kodeve dhe triumfon çnjerëzorja, triumfon ajo ideologji, e cila për ët krijuar njeriun e ri, komunizmi njeriun e ri do e krijonte njeriun pa pronë, kurse post-marksisti, njeriun e ri e ka me gjini të shumëfishtë apo me diversitet të gjerë gjinor”, u shpreh Berisha.


